BE paralajmëron tërmet në politikë, jep 42 milionë euro për zbatimin e reformës dhe ngritjen e SPAK, ultimatum të nisë lufta antikorrupsion

0
310

 Bashkimi Evropian ka dhënë dje sinjale të forta se SPAK do të tronditë nga themelet politikën shqiptare. Ngritja e Prokurorisë së Posaçme ka mbetur peng i vetingut, por zyrtarizimi i saj nuk mund të ndalet më dhe goditja e korrupsionit është e pashmangshme. Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca firmosi dje një marrëveshje me Ministrinë e Jashtme, përmes së cilës Shqipëria do të përfitojë 42 milionë euro për të përmbyllur reformën në drejtësi dhe ngritur SPAK. Ditën e djeshme, Soreca ka mbajtur një fjalim në lidhje me këtë çështje, ku shprehet se BE është krenar që është donatori më i madh i Shqipërisë. Soreca ka përmendur prioritetet e BE në Shqipëri, ku liston, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe mbrojtja e mjedisit dhe administrimi i ujit. “Menaxhimi i fondeve të BE-së është një ushtrim kompleks që kërkon përgatitje të gjera dhe koordinim ndërinstitucional. Të gjithë ata që janë përfshirë kanë bërë një punë të shkëlqyer, pa dyshim me burime të pakta. Bashkimi Evropian është krenar që është donatori më i madh në Shqipëri. Kjo mbështetje ka një qëllim dhe një arsye: ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet një anëtare e plotë e familjes së Bashkimit Evropian. Marrëveshja që po nënshkruajmë sot pasqyron përparësitë tona kyçe: reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dhe do të mbeten në zemër të partneritetit tonë me Shqipërinë. Por mbrojtja e mjedisit dhe administrimi i ujit gjithashtu do të mbështeten shumë nga programi i ri”, u shpreh Soreca. Hapja e negociatave Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca gjatë fjalës së tij të mbajtur dje, ka paralajmëruar edhe hapje të negociatave. Sipas Sorecës, Shqipëria ka përparuar ku ka veçuar reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut. Ai përmendi edhe deklaratën e Ursula von der Leyden të bërë të martën e kaluar, në momentin e prezantimit të emërimit të komisionerëve të rinj, ku tha se Komisioni i ri do ta mbështesë propozimin e bërë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Bazuar në përparimin e mirë të bërë deri më tani, veçanërisht në zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vetingut, majin e kaluar Komisioni ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Siç u theksua nga Presidentja e zgjedhur Ursula von der Leyden të martën e kaluar, në momentin e prezantimit të emërimit të komisionerëve të rinj, Komisioni i ri do ta mbështesë propozimin e bërë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim vendimin e Këshillit në tetor. Unë e kam theksuar në raste të tjera se si vetëm pak vende të tjera kanë kaluar një transformim kaq të thellë dhe të plotë si reforma në drejtësi në Shqipëri. Meritat i shkojnë popullit shqiptar që e deshi dhe e kërkoi këtë ndryshim”, vijoi ai. Zbatimi i reformën në drejtësi Luigi Soreca theksoi rëndësinë e vazhdimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi. Ai u shpreh se për shkak të rëndësisë që BE sheh te kjo reformë, ata janë duke investuar 42 milionë për çuarjen para të kësaj reforme. “Kjo përfshin një fond prej 34 milion Eurosh që do të kontribuojë drejtpërdrejt në buxhetin e Shqipërisë. Këto fonde bazohen plotësisht në rezultatet e strategjisë së drejtësisë. Prandaj, e inkurajoj qeverinë shqiptare, çdo aktor dhe institucion, që t’i mbështesë angazhimet e strategjisë dhe të zbatojë plotësisht reformat. Ajo është gjithashtu në kohën e duhur për të siguruar krijimin e shpejtë dhe të plotë të institucioneve të reja. Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Shqipërinë pasi tani jemi shumë afër krijimit të SPAK-ut. Gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm tashmë po diskutojnë se si mund të ndiqet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrën më efikase dhe të pavarur”, sqaron Soreca./Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here