Midis Fabio Kapelos dhe Majkëll Ouen ka shpërthye një luftë e fortë, aq sa ish-futbollisti i përfaqësueses angleze e ka akuzuar ashpër teknikun italian si një njeri që shkatërroi “Tre Luanët” në objektivat e tyre. Ouen e cilëson Kapelon “një plehrë” që i ka shkatërruar karrierën. Dhe të gjitha këto i ka thënë në një libër të botuar së fundmi prej tij, “Reboot”, një libër që ka ngjallur debat të fortë në Angli, pikërisht për shkak të përmbajtjes, ku Ouen është kujdesur që të dalin në pah prapaskenat që kanë ndodhur në fushë dhe jashtë saj me disa prej personazheve të futbollit, përfshi këtu dhe teknikun e njohur italian, i cili drejtoi përfaqësuesen angleze gjatë viteve 2008-2012. E thënë ndryshe, Majkëll Ouen vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut me qëndrimet e tij në librin “Reboot”, që po publikohet pjesë-pjesë nga “Mirror”. 39-vjeçari ka sulmuar ashpër trajnerin italian, Fabio Kapelo, të cilin e akuzon se i shkatërroi karrierën kur mori drejtimin e Anglisë në vitin 2008. “Fabio mendonte se duhej të ndryshonte diçka në përfaqësuesen e Anglisë dhe na doli problemi isha unë, Majkëll Ouen. Jo vetëm që ma shkurtoi karrierën ndërkombëtare, që e kisha të fituar me shumë vështirësi, pa më dhënë asnjë shpjegim, por ai gjithashtu vazhdoi të ishte një nga trajnerët më pak efektivë që ka patur Anglia”, shkruan ai në librin e tij, duke ngjallur kështu një debat të fortë dhe duke i shpallur luftë trajnerit të njohur italian. Etiketimi që Ouen i bën Fabio Kapelos, është vërtet shumë i rëndë. “Ai ishte absolutisht një plehrë. Sipas mendimit tim, Fabio Kapelo shkaktoi dëme katastrofike si në karrierën time, ashtu edhe në futbollin anglez, në përgjithësi, dhe u pagua shtrenjtë për ta bërë këtë.” Ouen shënoi 40 gola në 89 paraqitje gjatë karrierës së tij me “Tre Luanët”. Ai u tërhoq nga kombëtarja 4 muaj pas emërimit të italianit. Kapelo u largua në vitin 2012 pasi kundërshtoi vendimin e FA për t’i hequr shiritin e kapitenit Xhon Territ, pasi kishte përfunduar një fushatë kualifikuese të pamposhtur për Euro-2012. Të gjitha këto janë përshkruar me një stil unik nga Ouen, duke nxjerrë në pah anët negative të teknikut italian, që sipas ish-sulmuesit të Mançester Junajtid dhe një sërë skuadrash angleze, kishte mundësinë të mos cenonte personalitetin sportiv të lojtarëve në forma të tilla. Epërsia e staturës që kishte krijuar Kapelo si trajner i suksesshëm i kishte vënë “kapak” në atë kohë diskutimeve dhe debateve të krijuara në kampin e “Tre Luanëve”, por Ouen shkon më tej duke thënë se Kapelo i kishte shkatërruar karrierën me vendimet që kishte marrë dhe se ato kishin qenë vendime krejtësisht të papërgjegjshme. Natyrisht, Kapelo do të reagojë dhe me siguri do të thumbojë, ashtu siç e ka zakon ai. Por ndoshta teknikui italian mund të zgjedhë edhe të heshtë, nisur nga fakti se përgjithësisht trajnerët nuk komentojnë deklaratat e lojtarëve. Por etiketimet e rënda mund të ngjallin reflektimin e fortë të teknikut italian i cili është tashmë i akuzuar nga Majkëll Ouen si trajner që ka dëmtuar karrierën e sportistëve.
Adriatik BALLA