SGS do të vijojë të ketë monopolin dhe për të paktën 16 muaj sa i takon kolaudimit të makinave. Dje skadoi afati i kontratës me kompaninë zvicerane, por qeveri ka vendosur që deri në dhjetor të vitit që vjen të mos e liberalizojë tregun, ndryshe nga sa ishte premtuar. Edhe pse Ministria e Transportit nuk ka reguar zyrtarisht, gazeta ka mësuar se dje është vendosur që ky koncesion të vijojë deri në fund të vitit 2020. Kolaudimi i automjeteve u dha me koncesion në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike tek kompania zvicerane SGS për një afat 10 vjeçar. Sipas kontratës, marrëveshja e koncesionit duhet të përfundonte këtë të martë, pra në datën 3 shtator të vitit 2019 dhe shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve duhej t’i rikthehej shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga kompania private. Në klauzolat e kontratës koncesionare ishte përcaktuar edhe rruga se si shërbimi duhej t’i rikthehej shtetit duke i lënë detyrë ministrisë së infrastrukturës që të nisë procesin e transferimit 6 muaj përpara përfundimit të koncesionit.
Batërdia e SGS
Koncesioni i kolaudimit të makinave është ndër më të kontestuarit. Të gjithë ata që kanë makina e dinë se sa kohë duhet që të fusësh makinën në kolaudim, ndërkohë që radhët dhe korrupsioni nuk kanë munguar, pasi policia ka arrestuar shumë persona. Po ashtu, SGS është kapur dhe në shkelje nga autoritetet shtetërore. Komisioni i Konkurrencës vendosi në shkurt të 2018 hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, me dyshimin se mund të jemi përpara një abuzimi me pozitën dominuese nga ndërmarrja SGS. Në përfundim të hetimit paraprak, Komisioni i Konkurrencës konkludoi se sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese SGS në tregun përkatës, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, ndaj në qershor të 2018 u vendos hapja e hetimit të thelluar në këtë treg. Nga inspektimet e kryera në ndërmarrjen SGS rezulton se klientët për të marrë shërbimin e kontrollit teknik pranë QKT-ve të kësaj ndërmarrjeje duhet të paraqesin veç dokumenteve të tjera, edhe nënshkrimin e “Deklaratës-tip” nga ana e klientit, e kërkuar nga ana e koncesionarit duke marrë përsipër të heqë nga përgjegjësia çfarëdo dëmtimi që mund t’i ndodhë automjetit në territorin/mjedisin e koncesionarit, gjatë procesit të kontrollit teknik. Kjo kopje mbahet nga koncesionari dhe nuk i vihet në dispozicion klientëve pas nënshkrimit të tij. Komisioni i Konkurrencës me Vendimin Nr. 416 datë 18.05.2016 “Për disa rekomandime për rishikimin e tarifave dhe mbi hapjen e tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve” i ka rekomanduar ndërmarrjes SGS të rishikojë dhe ndryshojë përmbajtjen e paragrafit të tretë, të Deklaratës-Tip që nënshkruhet nga klientët para dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar, duke përcaktuar në të shkaktarin e dëmit si dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar.
Refuzimet e SGS
Në lidhje me këtë rekomandimin nga inspektimet e realizuara pranë ndërmarrjes SGS, rezultoi se kjo ndërmarrje nuk e ka marrë në konsideratë dhe vazhdon të kërkojë nga klientët e saj nënshkrimin e Deklaratës-tip. Ndërmarrja SGS mund të nënshkruajë rregullisht kontratën e sigurimit për përgjegjësinë profesionale me operatorët e sigurimeve në Republikën e Shqipërisë për mbulimin e dëmit të shkaktuar nga punonjësit e saj gjatë ushtrimit të kontrollit të automjeteve, por ekzistenca e kësaj deklarate-tip, pika tre e saj, bën të mundur lënien e fajit tek klientët që e nënshkruajnë këtë deklaratë për dëmet që ju shkaktohen makinave nga pajisjet, përveç punonjësve, në momentin e testimit të tyre. Klientët pa nënshkrimin e kësaj deklarate-tip të përpiluar nga ndërmarrja SGS, nuk mund të kryejnë kontrollin teknik të detyrueshëm të mjetit të tyre. Në rast të moskryerjes së kontrollit teknik të mjetit, klienti nuk mund të përdorë mjetin e tij për qarkullim dhe për këtë arsye detyrohet ta nënshkruajë këtë deklaratë-tip, sipas përmbajtjes së miratuar nga ndërmarrja me pozitë dominuese SGS. Pra, ndërmarrja me pozitë dominuese SGS, për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik për të cilin është ofruesi i vetëm në Republikën e Shqipërisë, vendos kushte shtesë ndaj klientëve të saj. Konkurrenca e gjobiti SGS me 500 milionë lekë.