Thellohen dyshimet mbi shpenzimet e kripura të ministres së Drejtësisë në udhëtimet jashtë vendit. Ditët e fundit kanë dalë fakte që tregojnë se Gjonaj ka shpenzuar 700 euro për një natë në hotel, ndërkohë që gazeta “SOT” po e çon më tej investigimin. Sipas të dhënave të “Open Data Albania”, që nga viti 2017 kur Gjonaj u bë ministre e deri më sot, janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit plot 24.8 milionë lekë të reja ose rreth 250 milion lekë të vjetra. Këto para kanë shkuar për bileta avioni, qëndrime në hotel dhe dieta. Shumat variojnë nga 500 mijë lekë të vjetra deri në 12 milion lekë të vjetra, të shpenzuara në një udhëtim. Bëhet fjalë që ka shpenzuar në total Ministria e Drejtësisë, por në shumicën e rasteve është ministrja ajo që ka udhëtuar. Në ditët në vijim do tregojmë shpenzimet konkrete që janë bërë, që nga hotelet e te biletat e avionëve.
Reagon PD
Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin nga detyra të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pas fakteve se ajo ka shpenzuar 700 mijë euro për një natë në hotel. Ditën e djeshme, ish-deputetja Orjola Pampuri në një deklaratë për mediat ka thënë se arsyeja pse Rama nuk e shkarkon Gjonajn është sepse ai vjedh bashkë me të. “Në një vend normal, ku kryeministri nuk ka prioritet të vjedhë popullin e të pasurohet për vete, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duhet të ishte shkarkuar sot. Media zbuloi se ministrja e vendit më të varfër të Evropës, ka firmosur fatura hoteli 700 euro nata. Ky është shpërdorim skandaloz i taksave të qytetarëve më të varfër të Evropës për jetën luksoze të ministres së Edi Ramës në hotele me 5 yje. Ministrja duhet të ishte shkarkuar sot, edhe sepse ajo gënjeu publikisht, duke deklaruar se faturat e shtrenjta ishin për delegacionin”, ka deklaruar dje Pampuri. Ish-deputetja thekson se ministrja duhet të ishte shkarkuar ditën e djeshme pasi ajo ka gënjyer hapur. Sipas Pampurit, faturat që ministrja ka paguar janë të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe janë të gjitha për vetëm 1 person, për vetëm 1 dhomë, me emrin e Etilda Gjonajt, kësisoj ajo nuk mund të hedhë hi syve duke thënë që faturat ishin për gjithë delegacionin.
PD nxjerr emra të tjerë
Rastin e ministres Gjonaj, ish-deputetja e PD, Pampuri e ka cilësuar si një rast aspak të veçantë, pasi sipas saj, ka edhe shumë raste të tjera që shpenzojnë shuma të kripura nëpër udhëtime. “Në këtë shpërdorim dhe jetë luksi me paratë e shqiptarëve, Etilda Gjonaj nuk është e vetme. Modeli i saj është kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili, njësoj si ajo gënjeu, po dje, për pushimet jashtë vendit dhe jetën e tij luksoze në një vilë të paktën 2 milionë euro, që nuk justifikohet nga pasuria e deklaruar prej tij. Modeli i saj është Erion Veliaj, që nuk dha kurrë llogari se ku i gjeti paratë për të jetuar në një shtëpi luksoze si ajo që ka tani dhe në rrjetet sociale u zbulua se udhëton me një çantë shpine, që kushton sa dy rroga mesatare. Modeli i Etilda Gjonajt janë Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, që bëjnë jetë sheikësh nga vjedhjet masive që bashkë me shefin e Etildës, i kanë bërë vendit në këto 6 vjet. Morali për të vjedhur bashkë dhe në mënyrë të babëzitur shqiptarët është arsyeja pse Edi Rama nuk e ka shkarkuar akoma Etilda Gjonajn dhe pse ne nuk jemi një vend normal, si çdo vend tjetër evropian. Edi Rama hesht, sepse ky abuzim me paratë e shqiptarëve, është standardi i qeverisjes së tij”, ka deklaruar ditën e djeshme Orjola Pampuri. Sipas saj, kryeministri është grabitësi kryesor i parave dhe pasurive publike.