Dëmtohet Mbape, s’do të luajë kundër Shqipërisë, Reja “fërkon duart”

0
330

Shqipëria do të luajë kundër Francës më 7 shtator, një ndeshje me peshë për fatet e kualifikueseve të Europianit të ardhshëm për grupin tonë. Natyrisht, favorite është Franca, nisur nga potenciali kualitativ që ka, efekti fushë dhe natyrisht eksperienca, por edhe kuqezinjtë tanë shpresojnë të bëjnë më të mirën në këtë takim, për të dalë me pikë nga përballja me “gjelat” francezë. Shqipëria do të jetë gati, por vështirësia mbetet. Sidoqoftë, për trajnerin Edi Reja ky është një moment i mirë, sepse nga Franca vjen një lajm i rëndësishëm për këtë ndeshje. Kilian Mbape nuk është gati, madje do të mungojë, pasi ka pësuar tërheqje muskulore dhe do të mungojë disa ditë, teksa mediat franceze vetë thonë se ai nuk do të luajë për Francën në dy sfidat e radhës. Pra me shumë gjasë Mbape do të mungojë dhe për francezët është lajm i keq, kurse për kuqezinjtë është lajm i mirë, sepse nuk do të jetë në fushë një nga elementët më të fortë e më cilësorë të ekipit kundërshtar. Kështu, konfirmohet ajo që te PSG i frikësoheshin më shumë: Kilian Mbape ka pësuar tërheqje në kofshën e majtë, dëmtim që do ta mbajë larg fushave të blerta për rreth një muaj. Një lajm i keq për parizienët dhe tifozët e Francës, por shumë i mirë, nëse mund të quhet i tillë, për fansat e Kombëtares Shqiptare, pasi sulmuesi i talentuar, kampion bote në fuqi, nuk do të mund të jetë në dispozicion të trajnerit Deshamps për eliminatoren e shtatorit, më konkretisht kundër kuqezinjve, më 7 shtator në “Stade de France”, dhe me Andorrën tri ditë më pas. Sipas “Le Parisien”, Mbape rrezikon madje edhe debutimin në Champions për këtë sezon në mes të muajit shtator. Një problem serioz për trajnerin Thomas Tuhel, i cili nuk ka në dispozicion as Nejmarin, i cili deri më 2 shtator, kur të mbyllet merkatoja, nuk do të përfshihet në skuadër. Vetëm nëse dështojnë përfundimisht bisedimet me Barcelonën (si dhe me klubet e tjera të interesuara për brazilianin), 27-vjeçari mund të thirret për të dhënë kontribut në fushën e blertë për kampionët në fuqi të Francës. Duke u kthyer tek sulmuesi francez, mësohet se Mbape ka kryer ekzaminimet mjekësore për të kuptuar shkallën e dëmtimit dhe për fatin e tij të keq, ai do të mungojë 3-4 javë. E sigurt, është që Mbape ka humbur ndeshjet e Francës në muajin shtator ku do të përballet me Shqipërinë dhe me Andorrën. Duke parë kundërshtarët përballë, por njëkohësisht edhe kontingjentin që ka skuadra franceze, ndoshta nuk do të jetë një problem i madh për Francën. Megjithatë, kuqezinjtë kanë më pak punë në mbrojtje për të ndalur Mbapen me sprintin e tij. Shqipëria do të kërkojë maksimumin kundër “gjelave” duke e ditur se do të jetë shuimë e vështirë përballë tyre, sidomos për të marrë pikë. Por në të shkuarën jo shumë të l;argat, Shqipëria ka luajtur si e barabartë me Francën, sidomos në miqësoren e fituar në Elbasan 1-0, në barazimin 1-1 në miqësoren tjetër të luajtur në Francë, apo dhe në humbjen e pësuar 2-0 në Europianin e vitit 2016, ku pavarësisht humbjes në minutat e fundit, Shqipëria bëri një prej ndeshjeve më të mira të saj në arenën ndërkombëtare, duke krijuar raste të mira shënimi dhe duke e bërë Francën e trajnerit Deshamps të vuante jo pak. Me apo pa Mbapenë Franca është shumë e fortë si skuadër, kurse Shqipëria e trajnerit Edi Reja varet shumë nga lojtarët me eksperiencë. Që të dilet me sukses nga kjo përballje duhet të jenë të gjithë në top-formë. Dhe Reja po punon për të formatuar një grup që të jetë në formë të mirë fizike dhe më të mirët në qarkullim, në mënyrë që t’i bëhet ballë Griezmanit me shokë. Dueli Francë-Shqipëri luhet më 7 shtator dhe për kuqezinjtë s’ka rrugë tjetër veçse të luftojnë për pikë, në mënyrë që të mbajnë të gjallë objektivin për të qenë, sipas mundësisë, në Europianin e vitit 2020. Gjithçka mund të ndodhë, edhe fitoret e vendeve të vogla ndodhin shpesh, kështu që kuqezinjtë duhet të shpresojnë. Fundja në fushë rivalëve tanë u mungon sulmuesi kryesor, Kilian Mbape.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here