13 tetori bie përfundimisht, skadojnë afatet për regjistrimin e koalicioneve, vetëm LSI në mbështetje të Metës

    0
    370

    Veniten shpresat e Presidentit Ilir Meta për të mbajtur zgjedhje më 13 tetor. Pas refuzimit nga ana e Partisë Demokratike për t’u regjistruar si parti në zgjedhjet e 13 tetorit, Presidenti Meta ka marrë dje një tjetër goditje. Kjo pasi dekreti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të dielën e dytë të tetorit mbetet totalisht i pazbatueshëm edhe nëse partitë bien dakord që të rrëzojnë procesin e 30 qershorit. Sipas përllogaritjeve, dekreti i Presidentit Ilir Meta tashmë është i rrëzuar edhe ligjërisht, pasi në bazë të Kodit Zgjedhor janë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme që partitë jenë pjesë e kësaj gare tashmë “imagjinare”. Në bazë të Kodit Zgjedhor, duke i qëndruar afateve ligjore, partive politike i ka mbaruar edhe afati për regjistrimin e koalicioneve politike. “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”, thuhet në nenin 64 të Kodit Zgjedhor. Mbi bazën e këtij neni, partitë politike duhet të kishin paraqitur brenda datës 15 gusht kërkesën për pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 13 tetorit, sipas koalicioneve zgjedhore.

    Skadon afati i regjistrimit të kandidatëve

    Gjithashtu ka rënë edhe afati kohor i paraqitjes së kandidatëve për kryetar bashkie. Sipas Kodit zgjedhor, lista e kandidatëve nga partitë politike, por edhe nga koalicionit duhet të kishin paraqitur kandidatët për kryetar bashkie dhe listën shumemërore. Në nenin 67 të ligjit duhej që një veprim i tillë të ishte ndërmarrë 50 ditë përpara datës 13 tetor. Fillimisht për 13 tetorin, ra afati edhe i regjistrimit të partive politike. Më 5 gusht ata duhet të kishin paraqitur kërkesën për regjistrimin si subjekte politike pranë KQZ-së. Thirrjes së Presidentit Meta që zgjedhjet të mbaheshin më 13 tetor iu përgjigjën vetëm tre parti politike të opozitës. Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambientaliste i paraqitën zyrtarisht kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar dekretin e firmosur nga Presidenti Ilir Meta për të mbajtur zgjedhjet më 13 tetor.

    Vetëm LSI e mbështet Metën

    Përveç goditjes që i dha Kodi Zgjedhor dhe refuzimit që Partia Demokratike i bëri Presidentit Ilir Meta, sa i takon 13 tetorit, e vetmja që mbështet kreun e shtetit është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kërkon mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, në një ditë të vetme. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-deputeti i LSI, Edmond Panariti shprehu bindjen se vetëm zgjedhjet e menjëhershme lokale dhe parlamentare, krijojnë mundësinë për të dalë nga gremina. Sipas Panaritit, zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit kushtetues, duke u shprehur se 13 tetori është kushtetues. “Sigurisht në afatin më të afërt kushtetues të mundshëm. Trembëdhjetë tetori është afat kushtetues, i dekretuar tashmë. Është datë në fuqi dhe e pa rrëzuar nga gjykatat supreme të vendit. Interpretimet mbi validitetin nuk mundet ti bëjnë partitë dhe politikanët, as komisionet dhe kolegjet zgjedhore, por vetëm ligji dhe kushtetuta. Por koha ecën dhe datat treten. Bashkë me to dhe shpresa për legjitimitet dhe kushtetutshmëri në këtë vend”, deklaroi ai. Pra, përmes këtij mesazhi Panariti jovetëm që i del në krah Metës, por kritikon në distancë edhe Bashën, i cili ka refuzuar 13 tetorin.

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here