Protestat në Kong Kong dalin jashtë kontrolli, policia përdor armë zjarri

0
392

Hong Kongu u përfshi të dielën nga skena kaosi dhe dhune të paprecedent në këto 12 javët e fundit. Të shtëna në ajër, topa ujëhedhës, gaz lotsjellës dhe shishe molotovi ishin disa nga mjetet e përdorura nga policia dhe protestuesit. Të paktën 36 persona do u bashkohen mbi 800 të tjerëve të arrestuar prej qershorit. Protestat kundër qeverisë së Hong Kongut të dielën u përshkallëzuan si asnjëherë në dhunë dhe përdorim armësh nga ana e protestuesve dhe policisë lokale. Autoritetet u desh të përdornin topa ujëhedhës, plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj turmës së irrituar. Disa protestues me maska në fytyrë u kundërpërgjigjën me shkopinj hekuri dhe druri, duke shkulur kalldrëmin e qytetit dhe duke hedhur gurë e shishe molotovi ndaj organeve të rendit. Disa agjentë policie u dërguan për ndihmë mjekësore. Për herë të parë që nga nisja e protestave masive në qershor, policia shkrepi armë zjarri në ajër dhe ua drejtoi ato manifestuesve në shenjë paralajmërimi. “Gjashtë oficerë policie u detyruan të mbronin jetët e tyre dhe të kolegëve që ishin seriozisht në rrezik. Njëri prej tyre qëlloi në ajër, por askush nuk u dëmtua. Në rrethanat që ndodheshin, reagimi ishte i arsyeshëm,” deklaroi përfaqësuesja e policisë. Në orët e para të së hënës u njoftua se të paktën 36 persona u arrestuan për aktet e dhunës, përfshirë një 12-vjeçar.Tubimet e javëve të fundit u nxitën nga një projektligj që lejonte ekstradimet e të shumëkërkuarve drejt Pekinit, por tani qytetarët apelojnë për më shumë të drejta dhe liri nga Kina, reformim të sistemit politik dhe lirimin e mbi 800 personave të arrestuar që nga fillimi i protestave.Hong Kongu është një rajon i veçantë administrativ që iu ribashkua Kinës në vitin 1997, dhe pritet të funksionojë sipas parimit “një vend, dy sisteme” deri në vitin 2047.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here