PD valë denoncimesh në shtator, gati publikimi i dosjeve kriminale për disa kryebashkiakë të tjerë

0
318

Partia Demokratike pritet që në shtator të nxjerrë të tjera dosje që faktojnë lidhjet me krimin të disa kryebashkiakëve socialistë. Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha kanë lajmëruar edhe më herët se Valdrin Pjetri nuk ishte i vetmi kryebashkiak që kishte lidhje me krimin. Demokratët publikuan një listë me emra që janë të përfshirë me krimin. Ndërkohë tani priten emra të tjerë nga Partia Demokratike, të cilët do të publikohen në shtator. Sipas burimeve, Partia Demokratike ka të dhëna për një kryebashkiak tjetër të dënuar jashtë shtetit me 6 vite burg, emrin e të cilit nuk e kanë bërë publik. Ndërkohë edhe emrat e tjerë që pritet të publikohen kanë qenë të dënuar jashtë shtetit për vjedhje ose trafikim lëndësh narkotike. Vjeshta pritet që të jetë një betejë e fortë në fushën politike. Nga njëra anë është presidenti që ka dekretuar datën e re të zgjedhjeve. Nga ana tjetër qeveria që vijon të mos e njohë këtë datë dhe tani opozita e cila ka dalë kundër datës së re dhe njofton se do të tregojë të tjera dosje të pushtetarëve për të treguar sipas tyre, se krimi dhe korrupsioni kanë kapur pushtetin vendor. Por gjithashtu ka paralajmëruar edhe protesta të përshkallëzuara. “Kur rrezikohet vendi, rrezikohen të gjithë. PD-ja është në ballë si e vetmja shpresë e interesit publik, prandaj a ka një plan të Edi Ramës? Po 6 vjet Rama ka pasur diversionin e PD-së, sulmet ndaj meje. Opozita do të vazhdojë me protestat dhe nuk ka pikë dyshimi”, ka lajmëruar kreu i PD-së Lulzim Basha. Sipas tij, të gjithë të inkriminuarit janë emëruar me bekimin e kryeministrit. “Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh, që i duhen për të vjedhur Shqipërinë. Valdrin Pjetri i Shkodrës, i dënuar për trafik droge, pastrues parash me hotele, dyqane dhe aktivitete të tjera. Edi Rama e mbron atë nga zbatimi i ligjit antimafia! Njësoj si Elvis Roshin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin. Pjerin Ndreu në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003. I larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjimet e manipulimit zgjedhor në dosjen 184, nuk dënohet, por kandidohet dhe mbrohet nga Edi Rama. Artur Bushi i Krujës, trafikant droge në Itali, Edi Rama e rikandidoi për herë të dytë si kryebashkiak”, ka deklaruar disa ditë më parë Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here