Drejtori i burgut “313” në rrugën “Jordan Misja” është pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili. Drejtorit të burgut të sigurisë së lartë Maksim Hamitaj, i është komunikuar dje pezullimi nga detyra, ndërsa për të është propozuar edhe shkarkimi. Shkak për pezullimin e tij janë bërë disa shkelje që ai ka bërë. Burime bëjnë me dije për gazetën “Sot”, se drejtori i burgut “313” është kapur me disa shkelje. Sipas burimeve Hamitaj, ka toleruar me takime shtesë për të burgosurit që ndodhen në ambientet e këtij burgu, shumica e të cilëve janë të burgosur “VIP”. Mësohet se mes të burgosurve që kanë përfituar nga takimet që ka toleruar drejtori i burgut “313” është edhe Emiljano Shullazi. Mësohet se Hamitaj është zëvendësuar nga Qazim Hoxha, i cili deri më tani ka qenë drejtori i burgut të Durrësit. Ndërkohë, problemi i favorizimit të të burgosurve është një problem i hershëm. Pak kohë më parë, në burgun “302” të burgosurit i bënë një peticion krerëve të shtetit, përmes të cilit kundërshtonin ligjin e ri për mundësimin e izolimit të tyre, si dhe anulimin e takimeve shtesë, që u është bërë kohët e fundit. Ndërsa, pak kohë më parë u pezullua nga detyra edhe drejtori i mëparshëm i burgut “313”, për shkak të shkeljeve të tij. Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë ka çelur garën për rekrutimin e kandidatëve të rinj në kuadër të reformës së thellë në burgje, e cila po transformon dita-ditës të gjithë sistemin. Më herët, ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila gjatë një deklarate për shtyp paralajmëroi se të gjithë drejtuesit e burgjeve do të kalojnë në një “sitë” të imtësishme kontrolli. Fill pas kësaj, u bë publik urdhri i Gjonajt për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Le të kujtojmë se vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta, si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ, për të garantuar siguri, si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin.
Ja si do rritet siguria në burgje
Izolimi i të dënuarve “VIP” sipas modelit italian “41 BIS” pritet të nisë në shtator. Në janar të këtij viti u miratua një ligj që mundëson një trajtim të ashpër në burg për personazhet e rrezikshëm të botës së krimit. Në muajin e ardhshëm pritet që ky ligj të vihet në zbatim nga burgjet e sigurisë së lartë. Periudha janar-shkurt ka shërbyer për bashkërendimin mes institucioneve që listojnë personat që do izolohen dhe për hartimin e rregullores që do të zbatohet në korridoret e monitorimit ekstrem. Në Itali ky regjim u përdor për të shkëputur marrëdhëniet e bosëve të mafias me botën jashtë qelisë dhe për t’u hequr atyre mundësinë e dhënies së urdhrave nga burgu. Ky lloj trajtimi është burgu i vërtetë për “boss”-ët e krimit. Ai kufizon takimet me familjarët në vetëm 1 në muaj, detyron regjistrimin audio e video të takimit, kontrollon korrespondencën e tij, si edhe kufizon daljen e tij në ajrim. Në një urdhër pasardhës, ministrja e Drejtësisë përcakton se regjim “41 bis” do të ketë vetëm në dy burgje, në atë nr. 313 në Tiranë dhe në burgun e Peqinit. Burgu 313 është klasifikuar një institucion paraburgimi dhe përveç sektorit të regjimit të posaçëm do të ketë edhe një sektor për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Në të njëjtin urdhër është bërë rikualifikimi i burgut të Fushë-Krujës nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme. Ulja e sigurisë detyron autoritetet të zhvendosin ata që vuajnë dënime të rënda, çka solli nënshkrimin e një peticioni kundërshtues nga 88 prej tyre.
Elvis MYRTA