Ekspertët e SHBA-BE në vjeshtë zbarkojnë në Tiranë, ja si do të marrin në dorë SPAK e BKH, gati terreni për luftën antikorrupsion

0
344

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të jenë prezentë edhe kur Struktura e Posaçme Antikorrupsion e Byroja Kombëtare e Hetimit të ngrihen. Reforma në drejtësi është një investim i tyre dhe për këtë arsye ata do të kujdesen që çdo gjë të shkojë në rrugën e duhur dhe në këto struktura të punojnë njerëz të zotë. Në SPAK dhe BKH nuk do të punësohen vetëm prokurorët e posaçëm, gjyqtarët e posaçëm dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, por do të ketë edhe staf mbështetës për ta. Për trajnimin e këtyre të fundit pritet që të vijnë në shtator në Tiranë ekspertë nga SHBA-BE. Burime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë i thanë gazetës se në vjeshtë ekspertët ndërkombëtarët do të mbërrijnë në kryeqytet me qëllim që të ofrojnë ndihmën e tyre dhe të asistojnë në krijimin e organeve të reja antikorrupsion. Stafi mbështetës i SPAK dhe BKH do të kalojë nga duart e ndërkombëtarëve me qëllim që të trajnohen e të jenë të aftë për të goditur korrupsionin në nivel të lartë. Në fakt, vëmendja më e madhe do të jetë e përqendruar tek Byroja Kombëtare e Hetimit, ku pritet që të atashohen ekspertë të FBI, ICITAP dhe Opdat për të punuar në vjeshtë me trajnimet e stafit. Një gjë e tillë është e përcaktuar edhe në ligj. “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Ekspertët në SPAK

Edhe pse nuk është akoma gati, për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion ekspertët ndërkombëtarë kanë filluar të vijnë. Pak muaj më parë ishte prokurorja kroate, Tamara Laptos ajo e cila mbërriti në Tiranë dhe do të qëndrojnë për dy vjet në zyrat e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për të monitoruar, vëzhguar dhe asistuar në punën e prokurorëve specialë. Ndërkohë, në vjeshtë pritet që të vijnë edhe ekspertë të tjerë të SHBA-BE për të dhënë ndihmën e tyre e për të krijuar një staf të zotë për të shfarosur korrupsionin në nivel zyrtarësh. Bashkë me Laptos në SPAK do të atashohen edhe ekspertë të tjerë. Por ajo që duhet theksuar është fakti se të gjithë ekspertët do të kenë në fokus të veçantë jo vetëm prokuroret dhe hetuesit, por edhe punonjësit e tjerë që do të ulen në karriget e financierit, kontabilistit, IT, etj.. Kjo pasi ata do të kenë në dorë gjurmimin e parave të pista dhe do të ndihmojnë në goditjen e pastrimit të parave. Madje, burimet i thanë gazetës se pak kohë më parë disa prej punonjësve janë trajnuar tek Akademia e Sigurisë. Ndërkohë, në ligj është përcaktuar edhe se në SPAK do të ngrihet një sektor vetëm për bashkëpunimin ndërkombëtar, çka do të thotë se faktori i huaj do të zërë shumë vend tek organet e reja. Kjo do të thotë se ndërkombëtarët do të marrin në dorë luftën antikorrupsion dhe nuk do të lejojnë asnjë devijim nga reforma në drejtësi.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here