Zbardhen statistikat, 70 dosje korrupsioni do të transferohen nga Krimet e Rënda te SPAK, Llalla e Tahiri më të rrezikuarit

0
329

Afro 70 dosje korrupsioni janë në pritje të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Këto dosje janë të regjistruara ose të mbartura ndër vite tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, por me ngritjen e SPAK, ato do të kalojnë tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2018 janë gjithsej 69 procedime për korrupsion të mbartura dhe regjistruara. “Ndër grupveprat penale të hetuara përgjatë vitit 2018, të mbartura dhe regjistruara (shih tabelën 2 ashtu si në vitin e kaluar, vazhdojnë ta zënë krimet e trafikimit të lëndëve narkotike(282 procedime), shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë (64 procedime), trafikimi i qenieve njerëzore, i të rriturve dhe i të miturve (63 procedime), vrasje të ndryshme, sidomos vrasjet brenda familjes (32 procedime), veprat penale të korrupsionit (69 procedime), veprat e ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara(85 procedime), trafikim i armëve dhe i municioneve (15 procedime), krimet e lidhura me terrorizmin (7 procedime), rrëmbimi i personit (8 procedime)”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Të gjitha këto procedime për korrupsion do të jenë së shpejti në dorë të SPAK. Sapo Struktura e Posaçme Antikorrupsion të ngrihet, të gjitha dosjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të zhvendosen aty. Çështjet e korrupsionit të lartpërmendura pritet të jenë të parat me të cilat SPAK do të nisë nga puna. Kalimi i dosjeve nga Krimet e Rënda tek SPAK është e përcaktuar mjaft qartë edhe në ligj. “Deri në fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, kompetenca e saj për të ushtruar ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, për veprat penale apo subjektet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 135, të Kushtetutës, ushtrohet përkatësisht nga Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve gjyqësore apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, sipas kompetencës dhe juridiksionit të parashikuar nga legjislacioni në fuqi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ditën e fillimit të funksionit të Prokurorisë së Posaçme, çështjet nën hetim apo gjykim i transferohen menjëherë për ndjekje kësaj prokurorie”, thuhet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Të rrezikuarit

Mes 69 dosjeve të përmendura më lart, ka edhe të mbartura, të cilat janë lënë në sirtar ndër vite. Një dosje që ka mbetur e hapur nga prokuroria e që zvarritet prej vitesh është ajo e CEZ. Në prokurori ka një padi nga Kuvendi dhe një nga juristi Romeo Kara ndaj rreth 21 zyrtarëve. Kjo dosje pritet të kalojë te SPAK, duke rrezikuar kështu ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrat e tij. Mes dosjeve të korrupsionit që pritet të kalojnë të SPAK mund të përmendim edhe atë të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty. Një tjetër emër është kreu demokrat Lulzim Basha. Ai po hetohet për lobimet në SHBA dhe është marrë edhe si i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë. Ndërkohë, sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo do të thotë se nga zyrtarët rrezikon edhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here