Britney Spears po reflekton mbi marrëdhënien e saj me familjen në një deklaratë të re prekëse. Më 7 gusht, këngëtarja pranoi se kishte bërë “gabime në të kaluarën”, në një shkrim të gjatë të publikuar në rrjetin X.
Spears e nisi deklaratën duke ndarë një fotografi të dy djemve të saj, Sean dhe Jayden, kur ishin ende të vegjël.
“Ata dy trupa të vegjël dolën nga barku im”, shkroi këngëtarja 44-vjeçare. “Fatkeqësisht, vetëm pesë vjet më parë kuptova se në fshehtësi, nëna dhe babai im i kishin marrë në plazh… gjatë gjithë verës.”
Spears pretendoi gjithashtu se babai i saj, Jamie Spears, nuk e lejonte të “shkonte në një restorant”, sepse ishte “i zemëruar” nga “gjithë vëmendja” që ajo merrte nga paparacët, pasi ajo kishte qenë “e mbyllur” në shtëpinë e saj për katër muaj.
Britney e ka akuzuar më parë Jamie Spears se kishte kontrolluar financat dhe jetën e saj personale gjatë një kujdestarie ligjore 13-vjeçare, e cila përfundoi në vitin 2021.
“Fotot që pashë të mamit dhe babit tim, fshehurazi në plazh gjatë gjithë verës, çdo fundjavë, me fëmijët e mi… pyesja veten pse nuk isha pjesë e daljeve të tyre sekrete dhe të bukura”, shkroi Britney.
“Ndihesha e poshtëruar duke jetuar në një vend ku pranohej që njerëz si mamaja dhe babai im të bënin jetë të fshehta me fëmijët e mi.”
Këngëtarja tha se kjo situatë e kishte bërë të “binte në gjunjë dhe të qante për dy muaj”.
“Shoqëria ende nuk i kupton pasojat e vërteta që kjo ka mbi të drejtat dhe liritë që çdo njeri duhet të ketë”, vijoi Britney.
“Unë nuk pata kurrë mundësinë të isha vetvetja, Britney e vërtetë… Dikur isha jashtëzakonisht e zgjuar dhe, njëqind për qind, më manipuluan që të bëhesha pjesë e një sistemi injorant ku çdo dreq njeriu përfitoi prej meje.”
“Dua t’u them fëmijëve të mi dhe njerëzve në përgjithësi se më vjen keq për gabimet e mia në të kaluarën”, shtoi ajo.
Këngëtarja shpjegoi se “qëllimi dhe mënyra e të menduarit” të saj ishin “në një vend krejt tjetër” kur ajo “performonte”.
“Asnjëherë, gjatë atyre 15 viteve, nuk isha unë”, shkroi ajo, duke treguar se ishte “turpëruar, vënë në siklet dhe detyruar të bënte gjithçka”.
“Si njerëz, të gjithë duam një hero ose dikë që ta shohim si shembull, por në fund të ditës jemi thjesht njerëz… Për mua, të gjithë jemi yje, sepse tani jam thjesht mami”, përfundoi Spears.









































