Lufta ndaj informalitetit shtrihet te magazinat doganore, kapen 76 tonë kafe pa akcizë në Vorë, gjobitet biznesi

0
337

Në një magazinë fiskale të një subjekti në qytetin e Vorës u zbulua depozita me mall të fshehur në sasinë 76 mijë kilogram “kafe e pjekur”. Nga kontrolli i ushtruar në një magazinë fiskale të një subjekti që tregton kafe është konstatuar një mungesë gjendjeje në magazinë prej rreth 76 tonë. Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe penaliteti i aplikuar për këtë detyrim të munguar është 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro. Ministrja Denaj tha se nga analiza që bëhet çdo javë në kuadër të zbatimit të Planit Operacional kundër informalitetit rezulton se në produktet e akcizës, si karburanti, pijet alkoolike, kafja apo cigarja, ka shkelje nga ana e subjekteve dhe ndaj i bëri thirrje biznesit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Administratën Doganore dhe Tatimore në kontrollet që ushtrohen nga ana e tyre, në mënyrë që të sigurohet një konkurrencë e ndershme në treg. Ministrja pohoi se Ligji i Akcizës i vitit 2012 ofron lehtësi për bizneset që tregtojnë produkte të akcizës, pasi nuk detyron më subjektet për pagesë para kohe, por iu jep atyre mundësinë e vetëdeklarimit, çka është në ndihmë të tyre. Ministrja sqaroi se kontrollet dhe inspektimet aktuale janë duke u zhvilluar mbi një analizë që nga fillimi i vitit 2018 e deri më sot dhe në një fazë të dytë të zbatimit të Planit Operacional, kontrollet do të zhvillohen mbi një analizë që do të shtrihet edhe disa vite më përpara. “Ky Plan Operacional, i cili do të shtrihet gjatë gjithë muajit gusht për të gjithë produktet e akcizës, do të vazhdojë edhe në muajt e tjerë. Synon të evidentojë paligjshmërinë dhe në ato subjekte ku paligjshmëria është evidente, kuptohet që gjobat janë shumëfish dhe kjo gjobë nuk vlen për asnjë biznes, i cili vendos të punojë brenda rregullave të caktuara brenda Kodit Doganor. Është shumë e rëndësishme që biznesi të kuptojë që ky nuk është një aksion. Ky është një Plan, i cili do të vijojë përgjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë muajve, dhe nuk do të kufizohet vetëm në një analizë të disa muajve. Është në ndihmë të një konkurrence të ndershme për biznesin në Shqipëri, i cili përfaqësohet si nga investitorë vendas, ashtu edhe të huaj, dhe të gjithë kanë të drejta të barabarta para ligjit”, u shpreh ministrja Denaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here