Precedenti i Maqedonisë, ja si do ndalohen aferat në radhët e SPAK, dy njësi speciale për të mbajtur në monitorim gjyqtarët e prokurorët

0
353

Maqedonia është mbërthyer nga një valë e madhe debatesh ditët e fundit, pasi një prej prokurorëve specialë u kap në afera korrupsioni. Një video e publikuar tregon se si u paguan 1.5 milionë euro që një biznesmen t’i shpëtonte ndëshkimit. Kjo ka bërë që Brukseli të shohë me dyshim hapjen e negociatave në tetor. Por ky precedent duket se do shërbejë dhe për të mos lejuar diçka të tillë në vendin tonë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do ngrihet në vjeshtë, por ndryshe nga ajo e Maqedonisë, kjo do ketë masa shumë të forta për të eliminuar sadopak aferat në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve specialë. Sapo SPAK dhe Byroja e Hetimit të ngrihen, do konstituohen dy njësi të fuqishme që do të bëjnë monitorimin e financave të anëtarëve të SPAK dhe do monitorojnë komunikimet elektronike. Por si do funksionojë një gjë e tillë? Me ngritjen e Prokurorisë Speciale do krijohet Byroja e Hetimit. Në këtë organ, do ngrihet një njësi që do merret me përgjimin e “specialëve”. Oficeri përgjegjës i kësaj njësie do krijojë një plan për shqyrtimin çdo muaj të komunikimeve telefonike, mesazheve apo postës elektronike të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, dhe të drejtorit, zëvendësdrejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për të shmangur çdo dekonspirim, ky plan nuk bëhet i ditur dhe po ashtu do ndryshojë çdo 3 muaj. Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje. Oficeri përgjegjës i ruan të dhënat për 2 muaj dhe, në rast se nuk urdhërohet nga një prokuror i Prokurorisë së Posaçme t’i ruajë të dhënat për më gjatë, i shkatërron ato pas muajit të dytë. Ky person është përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin përkatës.

Kontrolli i llogarive bankare

Përveç përgjimeve elektronike, masa do merren dhe për të monitoruar llogaritë bankare të anëtarëve të SPAK e BKH. Fillimisht ata do deklarojnë të gjitha llogaritë që kanë dhe nuk do mund të hapin asnjë llogari tjetër pa informuar më parë. Çdo transaksion do monitorohet. Fillimisht Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të caktojë një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të anëtarëve të SPAK. Ky person është përgjegjës për kallëzimin e çdo vepre

penale të mundshme dhe ka atributet e Policisë Gjyqësore. Ky pozicion i kalon një punonjësi

tjetër me rotacion çdo dy vjet. Oficeri përgjegjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit

të Pastrimit të Parave mbikëqyret nga oficeri përgjegjës. Oficeri përgjegjës kryen ruajtjen e të dhënave për gjashtë muaj dhe, në rast se nuk urdhërohet nga një prokuror i Prokurorisë së Posaçme t’i ruajë të dhënat për më gjatë, i shkatërron ato pas muajit të gjashtë. Ky person është përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin përkatës. Oficeri përgjegjës shqyrton çdo muaj llogaritë financiare anëtarëve të SPAK si dhe të anëtarëve të afërt

të familjeve të tyre. Oficeri përgjegjës mund të bashkëpunojë dhe me SHISH dhe nëse sheh parregullsi i raporton prokurorit të posaçëm.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here