Policia Ushtarake merr në dorë sigurinë në vend, akses në parandalimin e krimeve dhe ruajtjen e objekteve, ja ndryshimet në ligj

0
344

Qeveria ka vendosur që të angazhojë Policinë Ushtarake për të rritur sigurinë në vend. Pas grabitjes në Aeroportin e Rinasit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vendosi që perimetri i sigurisë të ruhej nga Policia Ushtarake, gjë që solli shumë përplasje e reagime. Por këtë herë qeveria ka vendosur që të bëjë ndryshime në ligj, duke u dhënë më shumë akses policëve ushtarakë. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim ndryshimin e disa neneve në ligjin për Policinë Ushtarake, përmes të cilave rritet roli i kësaj njësie. Sipas relacionit, ky projektligj ka si qëllim ndërhyrjen në ligjin ekzistues duke shtuar kompetencat e Policisë Ushtarake për të garantuar arritjen e qëllimit të tyre në një mënyrë sa më të thjeshtë. “Rendi dhe siguria në zonat të cilat Forcat e Armatosura kanë baza dhe reparte, do të garantohet më thjeshtë duke shtuar masat e rendit dhe sigurisë në zonat rreth tyre. Zakonisht këto reparte, baza dhe objekte të rëndësisë së veçantë gjenden në zona rurale, në të cilat rendi dhe siguria janë të vështira për tu garantuar vetëm nga Policia e Shtetit. Për këtë arsye, duke i shtuar kompetencat Policisë Ushtarake, që me veprime proaktive të garantojë rendin dhe sigurinë jo vetëm brenda rrethimit të bazës, por edhe në zonën përreth, rritet në mënyrë të konsiderueshme siguria e vetë bazave dhe reparteve por edhe situata e përgjithshme e sigurisë në shkallë vendi, duke rritur garancinë e kontrollit shtetëror të territorit dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme të cilat janë kryefjala në kohët e sotme”, thuhet aty. Më tej bëhet e ditur se Forcat e Armatosura kanë në administrim një numër të madh pronash, repartesh, bazash dhe objektesh të rëndësisë të veçantë, të cilat shtrihen në zona të largëta, si ato të sipërcituara. Duke qenë se me ligjin ekzistues për Policinë Ushtarake, ruajtja dhe sigurimi i këtyre zonave kryhej vetëm brenda rrethimit të tyre, duke bërë të pamundur ruajtjen e rendit dhe sigurisë në zonat përreth, është menduar të zgjerohet fusha e kompetencave të Policisë Ushtarake. “Me anë të këtij projektligji i jepet mundësia Policisë Ushtarake të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit për të siguruar zonat përreth bazave dhe reparteve duke rritur kështu në mënyrë të theksuar jo vetëm sigurinë e bazave dhe reparteve por edhe te rendit dhe sigurisë në shkallë kombëtare duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kontrollin e shtetit mbi territorin fizik të tij”, thuhet në relacion.

Efektet që do sjellë ligji

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, efektet e pritshme janë disa: E para është rritja e numrit të efektivëve të Policisë Ushtarake nga 200 punonjës në 500 punonjës. Gjithashtu, do të ristrukturohen edhe njësitë ekzistuese të FA-së për të vendosur efektivët e rinj nëpër zonat ku do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në zbatim të misionit. Po ashtu, theksohet se do të rritet bashkëpunimi midis Policisë Ushtarake dhe Policisë së Shtetit, duke lehtësuar arritjen e objektivave të kontrollit të territorit, ruajtjes së rendit dhe sigurisë. Me ndryshimet në ligj, misioni i Policisë Ushtarake është: ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare. Një tjetër risi është se Polica Ushtarake do marrë urdhra nga Drejtori i Policisë. “Pra, do të jenë përsëri organet e Policisë së Shtetit ato që bëjnë koordinimin dhe udhëheqjen e aktiviteteve te ruajtjes së rendit dhe sigurisë, sipas misionit të tyre. Policia Ushtarake në ushtrimin e kompetencave të reja do të bazohet në direktivat teknike dhe operacionale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, thuhet aty./ Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here