Legjenda De Rosi mbërrin në Buenos Aires, pritje madhështore nga tifozët e Boka Xhuniors

0
439

Roma, ky klub i njohur i futbollit italian, ka gati dy dekada që nuk fiton titullin. Edhe pse ka rivalizuar fuqishëm me Juventusin, Milanin dhe Interin, por edhe me Napolin, nuk ia ka dalë të sigurojë titullin kampion në “Scudeto” gjatë viteve të fundit, kjo falë meritës së rivalëve të saj që kanë qenë cilësisht më lart dhe kanë korrur më shumë sukses. Dy ikonat e këtij klubit, Francesko Toti dhe Daniele De Rosi janë tërhequr nga skuadra. Dhe ndërsa Toti pret të shpërblehet me rang drejtues, De Rosi kapërceu Oqeanin dhe tani ndodhet në Argjentinë, ku është bërë pjesë e klubit të njohur, Boka Xhuniors. Është një lëvizje e papritur, pasi futbollistët që luajnë për të mbyllur karrierën zgjedhin më shumë skuadra në SHBA, sikurse bëri Ibrahimoviç, Bekham e ndonjë tjetër, zgjedhin Lindjen e Mesme, sikurse bëri Ksavi, apo Kinën dhe Japoninë, sikurse bëri Iniesta që zgjoji një klub japonez për të mbyllur karrierën. E përbashkëta e këtyre klubeve është se japin rroga faranike, të denja për kampionët, dhe përfitojnë nga shitja e fanellave dhe reklamat e ndryshme që tërheq futbollisti. Por De Rosi bëri zgjedhje tjetër, ndoshta një zgjedhje zemre, pasi Argjentina është një vend paksa italian, me një komunitet shumë të madh pasardhësish nga Italia. Popullariteti i De Rosit, cilësitë e tij, roli prej lideri dhe njëherësh dashuria për klubin nga Buenos Airesi ndikuan që mijëra tifozë të dalin e t’i bëjnë atij një pritje madhështore në aeroport dhe në ambientet e klubit, teksa lojtari firmoste marrëveshjen njëvjeçare me një prej klubeve më të zjarrta të Amerikës Latine. E thënë ndryshe, Daniele De Rosi përgatitet të nisë një tjetër aventurë në karrierën e tij. Mesfushori italian u largua nga Roma, klubi i zemrës teksa drejtuesit nuk patën mirënjohjen t’i ofronin një kontratë të re. Në fakt, u mendua se 36-vjeçari do të tërhiqej nga futbolli i luajtur, mirëpo dëshira e e tij ishte të mbetej ende aktiv në futbollin e luajtur. I gjendur pa skuadër, De Rosit i mbërritën shumë oferta nga klube të Serisë A, megjithatë ish-kapiteni i verdhekuqve për të mos tradhtuar klubin kryeqytetas, zgjodhi alternativën Boka Xhuniors. De Rosi ka pasur gjithnjë një lidhje me skuadrën e Bokës, ndërsa është shprehur se ndoshta një ditë mund të luante në Argjentinë. Më në fund ajo ditë është bërë realitet dhe prej ditës së sotme De Rosi është pjesë e Bokës. Mesfushori ka mbërritur në aeroportin e Buenos Aires, ndërkohë që është pritur nga një turmë madhështore tifozësh. De Rosi ka firmosur një kontratë njëvjeçare, teksa më pas do të kryejë edhe vizitat mjekësore. Dita e debutimit pritet të jetë më datë 4 gusht për ndeshjen e dytë të kampionatit. De Rosi luan mirë si mesfushor dhe si mbrojtës. Kalimi në Argjentinë është një moment i veçantë edhe për klubin që kërkon të rrisë kreditit e tij në rang ndërkombëtar.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here