Shtypi çek për krijimtarinë e Xhanfise Kekos: Festivali i filmit në Zlin zbulon një thesar unikal

    0
    366

    Në Zlin të Çekisë u zhvillua Festivali i 59-të Ndërkombëtar i Filmit, ku u prezantuan dhe filmat e regjisores së mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko. Dy filmat e saj “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij” të programuar e shfaqur si pjesë e seksionit “Filmi ballkanik”, jo vetëm u mirëpritën nga të pranishmit, por tërhoqën edhe vëmendjen e shtypit dhe medias. Filmat e regjisores së njohur shqiptare po vijojnë të marrin vlerësimin e kritikës dhe të tërheqin vëmendjen e shtypit të huaj, ndërsa këta herë ishte rradha në Çeki për vlerësimin e saj. Ndër disa shkrime e intervista të botuara në shtypin vendas ku flitet për individualitetin e regjisores shqiptare dhe filmat e saj, veçohet shkrimi i botuar në gazetën “ZLINSKA FESTIVALOVA REVUE 59 ( Çeki) 26 Kveten (3) 2019. Në shkrimin e gazetës çeke me titull “Festivali i filmit në Zlin zbulon një thesar unikal” vlerësohet puna e regjisores së njohur, ku flitet dhe për jetën e  saj me kinematografinë. Festivali i filmit në Zlin në edicionin e 59 me kënaqësi shfaqi veprën e regjisores shqiptare të filmit për fëmijë Xhanfise Keko, në kuadrin e seksionit: Zbuloni dhe Njihni- “Mimoza llastica” (1973) dhe “Tomka dhe shokët e tij” (1977). Sipas gazetës çeke, në bllokun komunist ishte edhe Shqipëria e Enver Hoxhës e izoluar etnikisht, e pavarur dhe e izoluar në vetvete, por edhe aty, brenda kufijve të shtrënguara të vendit, njerëzit e filmit realizuan vepra, të cilat ndikuan në të gjithë gjeneratën. “Në këtë “univers ( hapësirë)  paralele”, një artiste krijoi një seri filmash për fëmijë, të cilat ishin sa poetike dhe freskuese po aq kundërshtuese”, vijon gazeta. Gjatë punës për “Udhëtimi i njeriut të ri nëpërmjet filmit shqiptar”, regjisori Thomas Logoreci dhe kritiku britanik i filmit Mark Cousins, e kuptuan qartazi se tashmë ishte momenti i duhur për t’i prezantuar botës veprën gjeniale të Xhanfise Kekos, dhe krijuan kështu dokumentarin e tyre esse “Këtu ka dragonj”.

    Rasti i veçantë në Zlin

    Festivali i Zlinit shkruan gazeta çeke vendosi që të kontribuoj për këtë, dhe për këtë arsye vendosi dy nga filmat e saj në seksionin e filmit “Zbuloni dhe Njihni”. “Në qoftë se keni zakon që përgjithësisht të injoroni seksionin e filmit të “arkivit”, ju rekomandojmë që kësaj radhe të bëni një përjashtim dhe të shfrytëzoni këtë rast të veçantë për të parë filmat “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Iris Elezi, drejtoresha e arkivit të filmit kombëtar në Tiranë, për këtë theksoi: “Mimoza llastica” (1973) dhe “Tomka dhe shokët e tij” (1977) me versionet e tyre të restauruara ju njohin me veprën e artistes, e cila arriti të fusë në filmat e saj mjete stilistike dhe tema, të cilat ndonjëherë ishin në kundërshtim me makinerinë propagandistike të diktaturës. “Qyteti më i ri në botë” (1974) si dhe të  tjera vepra të saj mjeshtërore, janë duke kaluar në procesin e skanimit, kështu që edhe ky film mund të jetë së shpejti në dispozicion”, vijon materiali. Ndërsa në regjimin komunist filmat duhet të reflektonin realitetin, Keko kishte kurajon të shkëputej nga realizmi, në botën e ëndrrave, ndjenjave dhe fantazisë, të veshur me ikonografinë e vërtetë komuniste. Si një vëzhguese e mirë ajo kapi jetën e përditshme të fëmijëve, të cilët për realitetin e tyre moral Mark Cousins i vlerëson të ngjashëm me fëmijët e De Sikës tek “Vjedhësi i biçikletave”. Keko xhiroi gjithsej 29 filma. Vdiq në vitin 2007. Sot në Tiranë në rrugën me emrin e regjisores së parë grua, luajnë fëmijët në trotuar, gjë që e tregon shumë bukur filmi i Cousins “Këtu ka dragonj”./Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here