Arben Sako: Ligji i sponsorizimeve do ta shpëtojë sportin, volejbolli në Shqipëri është dashuri

0
511

Partizani në volejboll fitoi titullin si tek meshkujt dhe tek femrat, duke regjistruar kështu një sukses historik për klubin. Volejbolli i femrave ka më shumë shtrirje dhe plot vajza që e dashurojnë këtë sport, por vitet e fundit po vërehet një ringjallje e këtij sporti edhe tek meshkujt, ku ka të rinj të gjatë e të talentuar, të cilët po arrijnë të çajnë edhe jashtë vendit. Natyrisht, si në shumë disiplina të sportit tonë, edhe në volejboll ka probleme me infrastrukturën dhe financimin, por shtrati për të pasur volejboll të zhvilluar ekziston, sepse, ky sport në Shqipëri është dashuri. Kështu e përkufizon dhe një prej teknikëve të njohur të volejbollit shqiptar, Arben Sako, i cili drejton Erzenin e Shijakut, skuadër me të cilën ka rinovuar sërish për edicionin e ardhshëm, por njëherësh Sako drejton dhe ekipin kombëtar të 20-vjeçarëve. Në intervistën e dhënë për “SOT”, tekniku bëri një analizë të kujdesshme të kampionatit shqiptar, dështimin nga vetëkënaqësia të Erzenit në garën për titull, pritshmëritë e skuadrës U-20, si dhe të edicionit të ardhshëm. Për Sakon, Ligji për Sponsorizimet (në kuadër të Ligjit të Sportit) do të sjellë rikthimin e volejbollit profesionist dhe rritjen e Shqipërisë në një nivel më të mirë në rang ndërkombëtar.

Sezoni i kampionatit është mbyllur dhe Erzeni, pavarësisht se ishte favorit për titullin, dështoi ta siguronte trofeun, i cili u fitua nga Partizani. Çfarë shkoi keq, apo çfarë nuk shkoi mirë që nuk ia dolët? A ishte ky një dështim?

Unë dua të veçoj një fakt që ka domethënie të madhe. Në Shqipëri ka dashuri për volejbollin, pra ky është një prej sporteve më të dashur. Në veçanti ky sport ndjen dashuri në Shijak, ku Erzeni ka dhënë emocion dhe ka treguar cilësi që e kanë bërë tërheqës këtë sport jo vetëm në Shijak por kudo ku kjo skuadër luan. Mosfitimi i titullit ka lënë gjurmë, pasi në Shijak e prisnin triumfin. Ishim mësuar me vendin e parë, pozicion që ne e kishim gjatë gjithë sezonit, por kjo nuk mjaftoi. Mospërmbushja e objektivit nuk erdhi se nuk bëmë përforcime. Të tjerët bënë lëvizjet e tyre në merkato, edhe ne bëmë, por nuk fituam. Megjithatë, nuk duhet të justifikohemi me këtë. Kjo kërkon një analizë më të gjatë. Në muajin mars ne fituam Kupën e Shqipërisë, domethënë deri në atë moment ishim mirë dhe në pozita të forta, por pas atij momenti skuadra pati një shkrehje, e cila solli edhe pasojat. Natyrisht, unë nuk dua të heq nga vetja përgjegjësitë e mia si trajner, por euforia, apo vetëkënaqësia, na dëmtoi. Ne nuk e prisnim një fund të tillë, pa ia mohuar vlerat kundërshtarit, i cili nga vendi i pestë në renditje arriti në fund të fitojë titullin.

Sa i takon nivelit të garës, si do ta përkufizonit kampionatin shqiptar në tërësi?

Këta vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme dhe kjo është pozitive për ne, aktorët e volejbollit, por njëherësh pozitive për vazhdimësinë e këtij sporti në Shqipëri. Them që ka një rrezatim pozitiv në tërësi, pasi në “skenë” janë futur lojtarë të rinj, shtatlartë, elementë që e duan këtë sport dhe duan një karrierë në volejboll. Nuk është vetëm niveli i klubeve, pra kampionatit në tërësi, por kjo rritje konstatohet edhe në rangun e ekipeve kombëtare, të cilat kanë bërë performancë cilësore në aktivitetet ndërkombëtare. Unë dua të shkoj më tej, për t’ju kujtuar që lojtarët shqiptarë po luajnë me sukses edhe jashtë vendit e një ndër ta, Husaj, ia doli të fitojë titullin në Francë. Përveç kësaj, mund të flas më me kompetencë për ekipin kombëtar U-20 të meshkujve, ku në grup kemi lojtarë mjaft të talentuar. Së shpejti Kombëtarja e madhe do të ketë lojtarë që do të luajnë në kampionate elitare në Europë, pasi kualiteti i volejbollistëve tanë është i standardit të lartë.

Megjithatë, më lini t’ju sfidoj me një fakt në dukje të thjeshtë, por besoj është domethënës. Volejbolli i meshkujve është i përqendruar në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Shkodër, kurse ekipet e qyteteve të tjera nuk kanë cilësi, janë thjesht si numër në garë. Ku duhet ta bazojmë optimizmin tuaj?

Trekëndëshi që ju përmendët kishte këtë sezon skuadrat rivale për titull, por volejbolli i meshkujve në Shqipëri është shumë më i shtrirë në aspektin gjeografik dhe ka plot qytete të tjera që kanë një traditë në këtë sport. Është Korça, është Elbasani etj. Shumë elementë të talentuar të volejbollit kanë dalë pikërisht nga Elbasani. Kuptohet, shumë gjëra edhe çalojnë dhe unë jam i ndërgjegjshëm se asgjë nuk është perfekte, ka ngërçe sigurisht, por një ripërtëritje e cilësisë në këtë sport është evidente. Kjo temë kërkon një qasje më të gjerë sesa ambienti stërvitor, zbulimi i talentit apo dhe ngritja e një skuadre. Ka të bëjë me pushtetin lokal, por dhe politikat sportive në tërësi. Nëse do të shtohen biznesmenët që financojnë ekipet, apo të ngrihen ekipet private, atëherë me siguri që do të rritet edhe cilësia e kampionatit. Pse? Sepse biznesi do të investojë. Por kjo gjë do të realizohet kur Ligji për Sportin të ketë marrë zbatimin e duhur në terren, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me sponsorizimet. Është projektuar dhe po bëhen përpjekje të miratohet ky ligj, i cili do të sjellë gjëra mjaft pozitive për sportin në tërësi dhe volejbollin në veçanti.

Ju përmendët pak më lart Kombëtaren U-20. Por, në një plan më të gjerë, cili është mendimi juaj për volejbollin përfaqësues, qoftë dhe skuadrës që ju drejtoni (U-20)?

Unë mund të flas me fjalë të mira për ekipet kombëtare në tërësi, por do të fokusohem Kombëtarja e të rinjve, të cilën e njoh më mirë sepse e drejtoj vetë. Siç e dini, në fund të qershorit zhvillohet Kampionati Ballkanik i kësaj moshe. Ne synojmë podiumin në këtë aktivitet, pra një vend nderi. Nuk do të jetë e lehtë, pasi rajoni ka një volejboll të zhvilluar që është elitë e botës. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe kemi besim në aftësitë tona. Dua të shtoj këtu që edhe Kombëtarja e madhe ka pasur një ecuri të mirë, sidomos sezonin e kaluar. Ishte vetëm një set larg Europianit dhe kjo tregon se ne luajmë si të barabartë me të fortët. Duke u kthyer tek ekipi i U-20, në kuadër të Ballkanikut në fund të qershorit, shpresojmë ta themi fjalën tonë si duhet. Nuk them se do të bëjmë namin, por ky grup është baza e Kombëtares së madhe në vitet në vijim. Janë të përgatitur fizikisht, teknikisht dhe taktikisht.

Çfarë e pengon volejbollin shqiptar të arrijë nivelet e profesionalizmit?

Problemi madhor i volejbollit tonë janë stërvitjet me orar të kufizuar. Ne stërvitemi 1.5 orë ose e shumta 2 orë në ditë. Paradite lojtarët punojnë e vijnë në stërvitje pasdite. Duhet patjetër të rregullohet ky program, që jo vetëm të rriten orët stërvitore, por të ketë një rritje në bazë programesh. Prandaj unë dua t’i kthehem Ligjit për Sponsorizimin, i cili lejon që sportisti të paguhet me rrogë e të jetë i lidhur vetëm me volejbollin. Shqipëria e ka kapacitetin në volejboll që të kapë nivelin europian si tek meshkujt dhe tek femrat. Madje me femrat ishim në vend të tretë në Ligën e argjendtë europiane një vit më parë. Projektet duhet të jenë 4-vjeçare dhe të studiuara mirë.

Cilat janë ambiciet e Erzenit në sezonin e ardhshëm?

Skuadra do të ketë ndryshime, një ose dy elementë, por ne do të jemi pjesëmarrës në kompeticionet europiane, konkretisht në Challenge Cup. Këtë sezon që lamë pas ne fituam një trofe, Kupën e Shqipërisë, ndërsa sezonin e ardhshëm ju siguroj që do të jemi pretendentë për të fituar jo vetëm kupën por edhe kampionatin. Dihet, Erzeni është pretendent për titull, këtë e dinë edhe rivalët tanë.

Cilat janë metodat tuaja për të zbuluar talentet?

Çdo teknik ka metodat e tij, edhe unë kam metodat e mia. Dhe sipas meje sekreti është tek ngritja e ekipeve të të rinjve dhe paratërinjve. Dikush mund të mendojë se është paraja. Jo, mund të kesh para, por po nuk ngrite sistemin zinxhir të ekipeve nuk bën punë. Lart të çon vetëm brumi yt. Shijaku ka 3 ekipe, paratërinj, të rinj dhe ekipi i të rriturve. Baza e ekipeve janë djemtë shtatlartë të zonës, që ne i pikasim, i angazhojmë dhe më pas i seleksionojmë.

Infrastruktura mendohet të jetë “thembra e Akilit” e sportit tonë. Cili është mendimi juaj për infrastrukturën e volejbollit?

Kam 45 vjet që nuk i ndahem volejbollit dhe pretendoj se e njoh gjendjen, por më takon të flas për Erzenin që drejtoj. Dhe Erzeni stërvitet në kushte ideale, në kompleksin “Goga” që ndodhet në Xhafzotaj. Kur të krijohen kushtet duhen falënderuar edhe mbështetësit, siç është kryetari i Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, si dhe shefin e klubit Markelian Rexhepi, që i qëndrojnë pranë skuadrës. Por, në tërësi, infrastruktura e volejbollit në Shqipëri kërkon më shumë investime.

Një nga çështjet që ia vlen të diskutohet është ajo e kuadrit teknik. Si mund të vlerësohet aftësia e trajnerëve shqiptarë të volejbollit?

Shqipëria ka një kastë trajnerësh shumë të mirë në volejboll, që drejtojnë në elitën e volejbollit vendas dhe janë të licensuar nga federata botërore. Kjo do të thotë se trajnerët shqiptarë mund të drejtojnë një ekip volejbolli kudo në Europë dhe në botë. Federata organizon vit pas viti seminare me lektorë të njohur që vijnë nga jashtë, ndërsa kolegët brenda vendit ndjekin kurse të shumta, duke marrë më të rejat e volejbollit modern. Volejbollit tonë nuk i kanë munguar asnjëherë trajnerët e mirë.

Si në çdo sport tjetër edhe volejbolli ka specifikën e tij. Në këtë sport, cila është më e rëndësishme, përgatitja fizike apo tekniko-taktika?

Nuk mund të jenë të ndara, një skuadër ka sukses kur i ka ndërthurur si duhet këta elementë. Nëse nuk ndërthuren atëherë nuk arrin asgjë. Volejbolli luhet në ajër dhe mendimet shkojnë e vijnë, por këmbëngulja, përvoja, forca, zhdërvjelltësia dhe shumë elementë të tjerë ndikojnë në rezultat.

Çfarë mund të përmirësohet?

Duhen futur në “praktikat e punës” teknikat e unifikuara të përgatitjes. Pra duhet një program përgatitor i unifikuar dhe miratuar, në mënyrë që kur lojtarët të arrijnë në ekipet kombëtare të kenë marrë baza të njëjta të tekniko-taktikës. Të ketë një program stërvitor që të jetë bazik, i njohur nga federata dhe kryesisht për të rinjtë. Kjo do të ndihmonte shumë që lojtarët e moshave të kishin sukses kur të kalojnë në ekipin e parë.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here