Prokuroria për Krime të Rënda merr në pyetje Fredi Bejlerin, nën hetim për “Veprimtari terroriste”

0
324

Prokuroria e Krimeve të Rënda mesditën e djeshme ka marrë në pyetje Fredi Bejlerin, i cili është vënë në hetim për akte terroriste. Krimet e Rënda kanë rihapur pas 25 vitesh dosjen që njihet ndryshe si “Masakra e Peshkëpisë”, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Hetimet po drejtohen nga prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci. Në praninë e tij dhe dy OPGJ-ve, Bejleri është marrë tre orë në pyetje më konkretisht nga ora 12:00-15:00. Pas përfundimit të marrjes në pyetje Bejlerit iu komunikua dhe akuza e ngritur ndaj tij “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”. Në dyert e gjykatës Bejleri dhe një deklaratë për mediat ku tha: “Erdha në prokurori që të mbarojë baltosja dhe poshtërimi ndaj figurës sime për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditë dhe në muajin që është bërë veprimi unë kam qenë në Qipro. Dhe autoritet greke dhe ato shqiptare kanë provat që të ndalojnë poshtërimin e figurës time për veprimet e mia politike”. Por kur u pyet se çfarë mund të thotë se 1 vit pas kësaj masakre u ndalua nga autoritet greke së bashku me disa persona të tjerë, Frdi Bejleri refuzoi të përgjigjej dhe u largua menjëherë nga gjykata. Posta kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u përball prillin e vitit 1994 me një sulm agresorësh grekë, të cilët pasi vranë rojën ushtarin Arsen Gjini dhe komandantin e repartit kapiten i Parë Fatmir Shehu plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër. Pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Bejlerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Himarës.

Hetime për veprime terroriste

Kjo çështje është regjistruar për akuzën e “Veprime për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Ndërkohë të gjitha aktet hetimore janë marrë në studim. Nga sa mësohet dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja qe erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh. Sipas burimeve të prokurorisë ato janë qitur nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm. “Shqiptarja.com” mëson se kjo dosje është rihapur për herë të fundit nga prokuroria e Gjirokastrës në muajin Maj 2006, ku pas një shkrimi të avokatit Ilir Malindi në një gazetë, ai evidentonte faktin se autorët e masakrës së Peshkëpisë janë arrestuar nga autoritetet greke. Sipas Malindit autorëve të sulmit të quajtur organizata “MAVI”, u janë gjetur armët e grabitura të postës kufitare dhe janë dënuar nga drejtësia greke vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe jo për sulmin në postën kufitare në Peshkëpi. Por rihapja e hetimit në 2006 nuk solli asnjë rezultat për sa i përket zbardhjes së autorëve, dhe dosja u arkivua sërish. Mësohet se në total janë 41 persona që pritet të merren në pyetje nga prokuroria dhe oficerët e antiterrorit. Mes këtyre personave janë dhe ushtarët e plagosur në postën kufitare dhe nën oficeri që u mor peng nga komandoja terroriste “Mavi”, shtetasi Qemal Stroka. Ky i fundit rezulton të jetë dhe dëshmitari kryesor në këtë ngjarje të rëndë, dhe nga dëshmia e tij pritet të merren të dhëna të vlefshme për hetimin. Në vazhdën e veprimeve hetimore me urdhër të prokurorisë mësohet të jenë sekuestruar dhe kopje të disa dokumentarëve televizivë të kryer nga mediat shqiptare gjatë viteve të fundit. Konkretisht janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumentarët e transmetuar në emisionin “XHUNGEL” në Neës24 me titull “Udhërrëfyesi i MAVI”, me dy pjesë, transmetuar në maj 2012 dhe “Njeriu i MAVI në Himarë” me dy pjesë, transmetuar në qershor 2015. Po ashtu është sekuestruar dhe dokumentari “Masakra e Peshkëpisë”, i transmetuar në emisionin “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel. Sektori i Analizës në Drejtorinë e Antiterrorit është ngarkuar të përpilojë profil subjekti me të gjitha të dhënat që ka për përfshirje të mundshme në aktivitete kriminale për personat e dyshuar në këtë ngjarje. Gjithashtu është kërkuar që nëpërmjet vendimit balistik krahasues krahasimi i gëzhojave të armëve të gjahut të fiksuara në procesverbalin e këqyrjes së datës 10.04.1994 me të dhënat e administruara në Policinë Shkencore.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here