Amerikanët zbardhin detaje nga bashkëpunimi i tyre me Britaninë e Madhe për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri. Aty tregohet se plani ishte që të zhvillohej një luftë e ftohtë në Shqipëri, pasi nëse kishte ndërhyrje ushtarake mund të destabilizohej gjithë Ballkani.
Tetor 1953
Raport i veprimeve të koordinuara mes shërbimeve amerikane e britanike
Shërbimet sekrete të CIA dhe MI6 kanë rënë dakord në parim për linjën e veprimet në lidhje me Shqipërinë, e cila do të fokusohet në mbledhje inteligjence të brendshme sipas direktivave të caktuara, dhënie të mbështetjes për Komitetin për Shqipërinë e Lirë dhe lëshime broshurash propagande afërsisht një herë në muaj. Edhe direktivat për vitin 1954 priten të jenë të ngjashme me ato të këtij viti, me shumë pak gjasa për urdhra përshkallëzimi të aktiviteteve të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Kjo për arsye se një trazirë e mundshme në Shqipëri do të shoqërohej me ndërhyrjen e forcave të Komitetit të Prizrenit nga Jugosllavia, dhe më pak e mundshme është ndërhyrja e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ndërhyrje të tilla do të interpretoheshin si kërcënim të interesave kombëtare edhe nga fqinjët, prandaj për momentin nuk duhet të kishte ndryshim të pushtetit në Shqipëri.
Shkëputja nga BRSS
CIA nuk ka direktiva konkrete veprimi për Shqipërinë, por ajo gjithsesi konsiderohet si një objektiv i rëndësishëm i luftës psikologjike dhe se përpjekjet për ta shkëputur atë nga blloku sovjetik nuk duhet të reduktoheshin. Është pranuar se ndryshimi kryesor i politikave mes CIA dhe MI6 qëndron në faktin se CIA është e gatshme të përdorë një politikë më të drejtpërdrejtë, por ky dallim nuk do të ndalojë punën e përbashkët të dy shërbimeve.
Infiltrimet
Tre operacione infiltrimi janë planifikuar sivjet. Grupi i parë i Vlorës nuk u formua për arsye të vështirësive me agjentët, kurse grupi i dytë për në Tiranë u infiltrua në rrugë tokësore nga Greqia. Një grup i tretë duhet të infiltrohen në Veri të Shqipërisë, por është anuluar për arsye të vështirësive në organizmin e infiltrimit nga ajri ose toka, dhe pritet të kryhet vitin që vjen. Operacionet e infiltrimit kanë pasur të njëjtat objektiva si më parë: krijimin e qendrave të rezistencës, vazhdimin e operacioneve për qëllimin final të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe inkurajimi i dezertimit mes zyrtarëve komunistë. Operacionet janë reduktuar disi për të ngritur kalibrin e agjentëve të zgjedhur, por është pranuar nga të dyja palët se në përgjithësi kalibri i agjentëve linte shumë për të dëshiruar. Një grup prej pesë personash të ri-infiltruar këtë vit, qëndruan për tre javë në Korçë derisa rimorën kontaktet e vjetra. Një grup prej dy personash të infiltruar në zonën e Sarandës qëndruan aty për tre javë.
Cilësia e agjentëve
Si CIA dhe MI6 janë dakord se cilësia e agjentëve të tyre shqiptarë të rekrutuar në Greqi është e ulët. Aktualisht janë shumë pak refugjatë shqiptarë që arrijnë në Greqi dhe, normalisht, të larguarit e nivelit të lartë nuk pranojnë të kthehen aty për të jetuar në male. CIA ka punuar për krijimin e qendrave rezidente në Shqipëri, dhe tekstet e broshurave të përdoren për të inkurajuar pjesëmarrjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Broshurat e nxitjes së dezertimit deri tani nuk kanë dhënë efekt, por autoritetet shpresojnë se në të ardhmen mund të ketë anëtarë të lartë të partisë, prandaj ia vlente të vazhdohej me iniciativën. Programi i CIA për vitin 1954 parashikon 24 lëshime broshurash propagande, të shoqëruara me artikuj ushqimorë apo të përdorimit shtëpiak. Ata kërkojnë të përmirësojnë tekstet e fletushkave, duke zgjeruar apelin e tyre publik, pasi propaganda e pastër nuk po sjell efektin e pritur.
Komiteti për Shqipërinë e Lirë
Është pranuar diskutimi i komitetit ekzekutiv të Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe riorganizimi i tij. CIA ka kërkuar riorganizimin e NCFA me qëllim shkurtimin e kostove, dhe krijimin e një kampi në Itali për strehimin e shqiptarëve atje. Britanikët kërkonin emërimin e anëtarëve të kryesisë së NCFA si individë dhe jo në bazë të partive që përfaqësojnë. Ka pasur debate mes CIA-s dhe grupeve britanike mbi masën e informimit të NCFA për operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Ata mendonin se agjentët kishin nevojë për mbështetjen e NCFA dhe se detajet e dhëna nga NCFA për prejardhjen e agjentëve ishin të rëndësishme në operacion dhe në vlerësimin e cilësive të tyre. CIA ishte e mendimit se kishte rreziqe sigurie në rast njoftimi paraprak të NCFA dhe do të vazhdonte të vepronte edhe pa aprovimin e tyre, prej rrezikut të daljes së informacionit dhe dështimit të operacioneve. Pas diskutimeve u pranua edhe nga britanikët të ndiqej e njëjta linjë. Një prej sugjerimeve ishte njoftimi i NCFA pas futjes së agjentëve në Shqipëri, por u refuzua prej rrezikut të daljes së informacionit. Diskutimet përfshinë mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me NCFA në rast të mbajtjes së tyre të painformuar, çka pritet të trajtohet me riorganizimin e ri ku nuk do të përfshihej një “juntë” ushtarake. Aktivitetet e NCFA nga Roma mendohet të ndahen në dy kategori: Në atë të luftës psikologjike ku përfshihen fletushkat, përmbledhjet e lajmeve dhe monitorimi i stacionit të Barit. Për zhurmimin e transmetimeve të Zërit të Amerikës, ekspertët besonin se vinte nga Bullgaria. Dhe përfaqësues të NCFA që marrin pjesë në takimet e OKB për Kampet e punës dhe në takimet e Juristëve të Lirë.
Komiteti i Prizrenit
Në diskutime u përmend se kur u krijua fillimisht Komiteti i Prizrenit, CIA kishte qenë shumë e interesuar, por në informacionet e mëvonshme rezultoi se Komiteti ishte tërësisht nën dominimin jugosllav dhe ishte kryesisht një mjet mbulimi për operacionet e UDB në Shqipëri. Ka shumë pak emra të njohur në komitetin e Prizrenit dhe CIA mendonte se nëse realizohej ndryshimi i regjimit në Shqipëri, Komiteti do të përpiqej të vendoste një qeveri titiste. Ne dhe britanikët ishim në një mendje se situata aktuale në Trieste pengonte çdo bashkëpunim real të mundshëm mes Komitetit të Prizrenit dhe NCFA.
Organizata e Hil Shllakut
CIA mendon se ka ende dyshime mbi ekzistencën e kësaj organizate dhe mbi të gjitha për forcën e saj të pretenduar prej 35.000 njerëzish. Ata janë duke eksploruar nëse kjo organizatë ekziston, pasi do të ishte me vlerë të madhe. Britanikët thanë se zotëronin fakte se organizata e Shllakut ekzistonte dhe se ishte e gatshme ta vinte veten në dispozicion të Perëndimit. Por masa e pretenduar e saj ishte një kërcënim serioz për qeverinë e Tiranës dhe meqenëse kishte interesa jugosllave të përfshira, lëvizjet e mëtejshme për të duhet të diskutoheshin imtësisht mes dy shërbimeve. CIA deklaroi se vetëm tre refugjatë shqiptarë kishin dëgjuar për organizatën. Korça, i cili ishte mik i ngushtë i Hil Shllakut, tha se ishte dërguar nga ky i fundit për të kontaktuar me Perëndimin. Vetë Shllaku ka qenë më parë xhandar, para dhe gjatë luftës. Ai ka kontakte të shumta në zonat malore dhe është arrestuar një herë nga komunistët. Pasi arriti të shpëtonte u vendos përsëri si klandestin në zonat malore, ku ka pasur mundësinë e kontakteve të shumta në zonat malore dhe më poshtë deri në afërsi të Tiranës. Sipas Korçës organizata ekziston por ka mungesë armësh.
Operacionet e planifikuara për 1954
Britanikët thanë se kishin vetëm një operacion të planifikuar për vitin 1954, grupin e infiltrimit në Veri të vendit që u anulua këtë vit. Ata kanë kontakte të dobishme në Veri dhe është propozuar që ata të lëshohen në qershor. Por mbeteshin vështirësi me gjetjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Ka disa agjentë të operacioneve të shkuara që pranojnë të rinisen, por në përgjithësi mbetet problemi i rekrutimit të dobët të shqiptarëve në Greqi.
24 qershor 1953
Integriteti territorial i Shqipërisë
Dokumentet e mëposhtme janë mbi subjektin e memorandumit tuaj dhe mund të ndihmojnë në materialet për “integritetin territorial të Shqipërisë” dhe gjithashtu duket se bëjnë të qartë nevojën për nxitjen e veprimeve të tjera sipas këtyre linjave.
Dokumenti mbi Italinë e Vatikanin
Në konferencën e tij të sotme për shtyp, zëdhënësi i kryeministrit italian tha: “Fakti se de Gaspari ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm në Paris në një pikë të tillë të fushatës së tij, do të thotë se sa e rëndësishme është për Italinë komuniteti ndërkombëtar”. Në lidhje me subjektin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, zëdhënësi tha se ato ende nuk kishin arritur në pikën e dëshirueshme të normalizimit për arsye të disa politikave të Tiranës: Kjo e fundit ka dhënë të tjera prova të intolerancës së saj me një notë proteste në Romë kundër transmetimeve të rrjetit italian RAI, si dhe me kërkesat për arrestime dhe ekstradime të disa liderëve politikë shqiptarë në Itali. Ministria e Jashtme e Italisë refuzoi notën e protestës duke thënë se Italia ishte një vend i lirë, dhe Kushtetuta i garantonte të drejta azilantëve apo refugjatëve politikë. Ishte e sigurtë se në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera prapa Perdes së Hekurt, ekzistonin ndjenja revolte dhe rezistence. Ato kishin uljet e ngritjet e tyre, sipas aftësisë së policisë për t’i shtypur. Sidoqoftë, pikëpamja italiane për Shqipërinë ishte e ditur: ajo donte liri, pavarësi dhe integritet territorial.
Departamenti i Shtetit
28 nëntor 1952
Mesazh për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë
Historikisht, populli shqiptar e ka mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tij për shekuj me radhë, siç po bëjnë edhe sot derisa të çlirohen nga regjimi aktual kukull i sovjetikëve. Përpjekja e tyre ka nisur me heroin kombëtar Skënderbeu që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1443. Pas vdekjes së tij, populli shqiptar vazhdoi të luftojë për pesë shekuj derisa pavarësia e Shqipërisë u shpall përsëri në Vlorë në nëntor 1912. Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti amerikan Ëilson mbrojti të drejtën e pavarësisë së Shqipërisë për llogari të qeverisë së SHBA në vitin 1920. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA ishte vendi i parë mes Aleatëve që bëri deklaratën zyrtare për rivendosjen e Shqipërisë së lirë e të pavarur. Miqësia e vjetër mes popullit shqiptar dhe atij amerikan vjen si rezultat i lidhjes së Shteteve të Bashkuara me aspiratat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Edhe sot populli amerikan e shikon me simpati përpjekjen e popullit shqiptar dhe mezi pret rikthimin e tyre mes popujve të botës së lirë. Për llogari të sekretarit të shtetit, dua të falënderoj Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për mesazhin e urimit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria e populli i Shteteve të Bashkuara e njohin mirë traditën e miqësisë me popullin shqiptar, si dhe simpatinë dhe përpjekjet e Komitetit për të ruajtur parimet e lirisë dhe të pavarësisë në vendin e tij.
Nëntor 1953
Raport zbulimi grupi i infiltruar FIG
Më poshtë kemi pikat e inteligjencës pozitive të mbledhura nga grupi Fig Tree në misionin e fundit. E kuptojmë se informacioni i mbledhur është i vogël, por kjo vjen pjesërisht nga fakti se grupi ka ndjekur me saktësi instruksionet dhe ka shkatërruar shumicën e shënimeve të tyre kur ranë në kurthin e forcave komuniste. Raporti i tyre do të ndiqet nga dy të tjerë ku do të përshkruhen operacionet dhe rrugëtimi i tyre, gracka dhe dalja prej saj.
Grupi ka observuar sa më poshtë:
Në zonat malore mbi Boboshticë janë hapur hendeqe të reja nga forcat kufitare rreth 500 metra të gjata përballë kufirit grek, në formë zig-zag. Në disa hendeqe kishte poste për 10-12 mitralozë, të ngritura rreth 2 metra lartësi. Grupi vlerësonte se në çdo pozicion mund të qëndronin 5-6 ushtarë dhe ato ishin të përziera mirë me terrenin duke mos u dalluar kollaj. Më 10 shtator grupi vërejti një kompani ushtarësh të vendosur në 20-25 tenda. Grupi tha se kur u kthye në këtë zonë më 19 tetor, nuk kishte më as tenda e as ushtarë. Komandant i divizionit të Korçës, që njihet si divizioni i 3-të, është Skënder Malindi. Për të qartësuar këtë informacion duhet të themi se divizionet ushtarake shpeshherë ndryshojnë numrat e tyre, sipas atyre që thonë autoritetet “për të ngatërruar armikun”. Me anë të kontakteve me Niazi Rapushin, ish-rreshter i regjimentit të Gjirokastrës, i cili është liruar nga detyra në mars 1953, grupi Fig ka marrë informacionet e mëposhtme: Komandant i divizionit është Vaskë Gjini, komisar Veso Ismaili dhe major Fete Ruçi. 4 regjimentet e divizionit janë regjimenti i 18-të i stacionuar në Delvinë, regjimenti i 7-të në Gjirokastër dhe regjimenti i 5-të në Përmet. Në kohën e shkarkimit të Rapushit, komandant ishte kapiteni Nazif Hoxha, kapiteni Zani Asqeriu dhe Teki Hasan Luarasi që besohet se janë nacionalistë besnikë. Rapushi ka qenë prezent kur grupi ra në kurthin e komunistëve. Në lidhje me këtë ai ka ofruar dhe informacionet e mëposhtme: Grupi u rrethua në Kopaçe nga anëtarët e Sigurimit, policë dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18-të për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Rapushi thotë se beteja zgjati rreth 5 orë. Kur grupi Olive humbi pozicionin e tij, ata kishin gjetur të vdekur Riza Abazin dhe Fido Veliu të cilët kishin kryer vetëvrasje për të mos rënë në dorë të komunistëve. Mehmet Hoxha, anëtari i katërt i grupit, ishte plagosur, por nuk ishte në pozicion me tre të tjerët. Sipas b urimeve, Hoxha deklaroi se grupit i ishin mbaruar municionet dhe ishte bërë e qartë se nuk kishin rrugëdalje, prandaj vendosi të largohej në drejtim të kufirit (Hoxha u gjet në njëfarë distance nga fushëbeteja dhe kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut). Burimi deklaron më tej se ishte prezent kur një pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Në raportin e tij për sigurimin komunist piloti thotë se ishin duke bërë manovra në zonën Kifisia dhe në ditën e tretë u detyrua të arratisej pasi inteligjenca greke ishte informuar për aktivitetet e tij komuniste (Ky informacion i ka kaluar inteligjencës greke e cila vazhdon hetimet mbi incidentin). Ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë nga Sefer Belkteshi nga Tresova: Më 1 tetor 22 kamionë hynë në Zvarisht dhe shkarkuan municione. Më 7 tetor major Ali Lalai, kapiten Mehmet Rifati dhe 5 oficerë të tjerë të paidentifikuar erdhën për inspektim në Tresovë dhe Zvarisht. Aktualisht zona rreth Zvarishtit ruhet nga e patrulla lëvizëse. Në fillim të verës një këshilltar rus është caktuar për çdo divizion. Sipas zhurmave thuhet se më 56 tetor një grup oficerësh shqiptarë është kthyer nga Rusia ku kanë kryer trajnime speciale. Grupi Fig raporton se Viet Agolli nga Mocani i ka informuar se djali i tij, kapiten Viet Muslim Agolli, thotë se ushtria merr shumë informacione nga Italia për aktivitetet e grupeve në Shqipëri.
Korçë, burgjet
Një burg i madh në Korçë është mbushur me njerëz që quhen nga autoritetet “Armiq të Popullit”. Burgu ndodhet në prefekturën e re dhe aktualisht mban 650 të burgosur dhe ruhet nga reth 50 policë. Drejtor i burgut është Baktash Melçani, i cili është nacionalist dhe nganjëherë ka lejuar që të burgosurit të dëgjojnë stacionet e huaja në radio madje dhe transmetimet tona klandestine. I dyti në komandë është oficeri Qerim Gjergjeviç. Burimi deklaron se se kur dëgjohen avionë të huaj në zonë, pasat e sigurisë rriten edhe në burg, nga frika e shpërthimit të trazirave (burimi nuk specifikon se çfarë masash merren).
Burgu i qytetit
I vetmi informacion që kemi mbi burgun e qytetit të Korçës është se këtu shërbejnë dënimet persona që janë dënuar me 5 vjet ose më pak. Të burgosurit në përgjithësi janë ordinerë, si njerëz që nuk kanë arritur të përmbushin taksat apo kuotat e prodhimit.