Avokati i Izet Haxhisë kërkon sërish përjashtimin e trupës gjykuese: Duam gjyqtarë që kanë kaluar vetingun

0
347

Seanca e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku u mor në shqyrtim kërkesa e Izet Haxhisë për tu rigjykuar “detyroi” edhe një herë avokatin mbrojtës të tij, Bashkim Nikolla për të kërkuar përjashtimin e trupës gjykuese. Pak ditë më parë në lëvizje për çështjen e Izet Haxhisë u vu vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke përcaktuar me short gjyqtarë nga Apeli i Krimeve të Rënda që do të delegoheshin për të shqyrtuar kërkesën e tij. Kjo lëvizje e KLGJ erdhi pas ngërçit të krijuar sepse Haxhia dhe avokati i tij, Bashkim Nikolla nuk pranonin që çështja e tyre të gjykohej nga anëtarët e Apelit të Tiranës për shkak të konfliktit të interesit. Edhe vetë anëtarët e kësaj gjykate kishin paraqitur disa dorëheqjen nga shqyrtimin i kësaj çështjeje për shkak të konfliktit të interesit sepse pjesë e gjykatës ishte edhe vetë bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, Fatmira Hajdari. Por pavarësisht se KLGJ i delegoi gjyqtarë të tjerë, Bashkim Nikolla kërkoi dje sërish përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga Dhimitër Lara, Nure Dreni dhe Sokol Binaj. Sipas tij, kjo çështje duhet të gjykohet nga gjyqtarë që e kanë kaluar vetingun. “Bashkë me kërkesën për ankim dua të paraqes edhe një kërkesë tjetër: Duam të gjykohemi nga gjyqtarë që e kanë kaluar vetingun”, tha Nikolla. Trupa gjykuese u tërhoq për 15 minuta për t’i dhënë kohë avokatit për të depozituar kërkesën e tij pranë kancelarisë, ndërsa më pas seanca vijoi me dëgjimin e palës ankuese. Bashkim Nikolla parashtroi argumentet se pse duhet që çështja të rihapet. “Pas rivendosjes në afat të çështjes, na u dha mundësia për tu gjykuar dhe dhënë shpjegime mbi akuzën. Përpos provave materiale dhe shkresore, ne do të kërkojmë edhe ballafaqim me dëshmitarët e asaj kohe dhe do të provojmë pafajësinë. Unë kërkoj që kjo gjykatë të na gjykojë dhe të bëhet një hetim i plotë, jo i pjesshëm”, u shpreh ai. Tani mbetet të shihet se çfarë do të vendosë trupa tjetër gjykuese që do të marrë në shqyrtim kërkesën e Nikollës për përjashtimin e treshes gjyqësore të përcaktuar nga KLGJ. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here