Spektakël në “Anfield”, por Liverpuli e Bajerni ndahen në “paqe”, Lioni frenon Mesin dhe Barçën

0
451

Liga e Kampioneve u rikthye këtë javë me duelet e saj në 1/8 e finales, ku në “Anfield Road” Liverpuli e Bajerni dhuruan spektakël, një ritëm të lartë, por edhe mbrojtje solide. Spektakli ishte i madh, por kësaj ndeshje i mungoi goli dhe rezultati 0-0 favorizon gjermanët për duelin e kthimit që do ta luajnë në “Allianz Arena”. Pjesa e parë ishte më e mirë për Liverpulin, i cili diktoi një ritëm shumë të lartë loje, me aksione të shumta sulmuese, por që u shuan në kufijtë e zonës së Bajernit, si pasojë e mbrojtjes së vendosur mirë të skuadrës gjermane dhe faktit që bavarezët nuk lanë kurrfarë hapësire që mund të shfrytëzohej nga “reds”-at anglezë. Sadio Mane pati dy raste shënimi të mira në këtë fraksion loje, por nuk u koordinua si duhet në gjuajtje, ndërsa Salah ishte më i izoluar si pasojë e mbulimit të rreptë. Matip pati një rast të bukur shënimi por gaboi në gjuajtje, ndërsa goditja me kokë e Salah në mesin e pjesës së parë gjeti rrjetën e jashtme. Sa u takon bavarezëve, ata zgjodhën të kundërsulmonin në këtë ndeshje dhe falë eksperiencës së tyre ia dolën të ruanin qetësinë dhe të mos ndikoheshin nga vrulli dhe presioni i lartë në kufijtë e zonës që ushtronte Liverpuli. Kundërsulmi nuk i dha efekt as Bajernit pasi sulmi mbeti i larguar nga repartet e tjera dhe lidhja ishte e dobët.

Në pjesën e dytë Liverpuli vijoi të ushtrojë presion në nivel të lartë, sidomos për topin e parë, duke mos i dhënë mundësi ekipit gjerman të organizohej e të rrezikonte. Aksionet e shumta sulmuese kalojnë nga qendra në krahë, një taktikë e trajnerit Jurgen Klop për të gjetur hapësirë, por sërish nuk ia doli. Bavarezët mund ta kishin ndëshkuar Liverpulin nëse Levandovski do të gjente ritmin e kërkuar në metrat e fundit, apo nëse Tomas Muller do të kishte qenë më efikas në depërtimet e tij. gjithsesi, kjo ndeshje e madhe e luajtur në “Anfild Road” nuk prodhoi fitues, pra u mbyll në barazim pa gola 0-0, duke e lënë të hapur llogarinë për ndeshjen e kthimit, por këtë herë me gjermanët favoritë pasi luajnë në fushën e tyre.  Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së djeshme, Lioni i rezistoi mjaft mirë Barcelonës në pjesën e parë. Edhe pse skuadra katalanase luajti me “tredhëmbëshin” e saj të zakonshëm në vijën e parë sulmuese, pra me Mesin, Suarezin dhe Dembelenë, nuk ia doli të shënojë në 45-minutëshin e parë, duke bërë që shifrat të regjistronin 0-0. Edhe pse statistikat ishin krejtësisht në favor të Barcelonës, qoftë në mbajtjen e topit 60-40%, goditjet në portë (2-3), apo dhe goditjet në drejtim të portës (2-11), Lioni ia doli të ruajë të paprekur portën e tij në këtë pjesë loje. Në pjesën e dytë skuadra e njohur franceze vijoi të mbrohej dhe të rikuperonte fazën ofensive me kundërsulme. Kjo strategji ishte efikase për shumë minuta, sepse lojtarët katalanas u bllokuan në hyrje të zonës, duke mos gjetur hapësira depërtimi. Madje Mesi me shokë dukej mjaft i lodhur në këtë ndeshje, duke mos pasur qartësi në veprimet sulmuese. Dalja e Dembelesë në minutën e 66-të dhe futja e Kutinjos i dha impuls lojës sulmuese. Shpeshtohen gjuajtjet në portë, por Lioni është me fat, topi nuk ka ndërmend të shkojë në rrjetë. Përfundimisht mbyllet në barazim 0-0, por dukshëm Barcelona ka një shans më shumë për kualifikimin, pasi do ta luajë ndeshjen tjetër në fushën e saj në “Kamp Nou”.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here