Tatimet paralajmërojnë bizneset, ja 3 rastet kur ndërpriten procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore

0
451

Administrata Tatimore do të ndërpresë masat shtrënguese për sigurimin e pagimit të detyrimit tatimor, në rastet kur tatimpaguesi e ka paguar të gjithë detyrimin e tij tatimor, kur tatimet janë falur me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe kur sipas përcaktimit në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është vendosur dhe shpallur detyrimi tatimor i pambledhshëm. Deklarimi i detyrimeve tatimore si të pambledhshme, është procesi i cili kryhet vetëm në raste ekstreme dhe nuk është arritur të mblidhet dhe të arkëtohet detyrimi tatimor. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëjnë me dije se detyrimi tatimor mund të deklarohet i pambledhshëm vetëm në rastet e mëposhtme: kur megjithëse është bërë shitja e investimeve likuide dhe aktiveve të tjera, nuk është bërë i mundur arkëtimi i detyrimit, kur tatimpaguesi në bashkërendim me administratën tatimore provojnë me evidencë të saktë se tatimpaguesi nuk disponon asnjë lloj pasurie apo të ardhure, që do të mund të përdorej për shlyerjen qoftë edhe me këste të detyrimit tatimor të papaguar dhe kur pas analizës së situatës financiare dhe pasurore të subjektit tatimpagues, administrata tatimore arrin në përfundimin se shitja e pasurisë së tatimpaguesit, ndaj të cilit do të fillonte një procedure likuidimi apo falimentimi, nuk do të shlyente shumën e detyrimit tatimor.

Apeli i Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar që tatimpaguesit të jenë të kujdesshëm sepse që detyrimi tatimor të deklarohet i pambledhshëm, duhet që të tria arsyet më lart të plotësohen në mënyrë të njëkohshme. Për sa i përket fillimit të procedurave të falimentimit, bëhet në gjykatë nga ana Administratës Tatimore në përputhje me ligjin nr.110/2016 “Për Falimentimin”. Administrata Tatimore në të cilën është regjistruar tatimpaguesi, ose në juridiksionin e të cilës ushtrohet veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit, ka detyrimin të kërkojë në gjykatën kompetente, fillimin e procedurave të falimentimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se për të gjithë ata tatimpagues, ndaj të cilëve Administrata Tatimore ka kërkuar fillimin e një procedure falimentimi, publikohen informacionet përkatëse në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Mbledhja e detyrimeve me forcë

 Drejtoria e Përgjithshme sqaron tatimpaguesit se afati për të paguar detyrimin (borxh) tatimor sipas rasteve është në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit. Nëse borxhi nuk është apeluar, bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit. Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor. Me plotësimin e afateve proceduriale të mësipërme, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing tuaj “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.

Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë: Urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij. Barrë sigurie dhe/ose Barrë hipotekore mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit. Urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekore. Konfiskimi i pasurisë nga administrata tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë. Administrata tatimore i dërgon gjithashtu Administratës Doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar. Në rastet e moslikujdimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së hapave të mësipërme kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here