Skadon afati i shpalljes së projekteve fituese, artistët akuza Ministrisë së Kulturës: Po bllokohet jeta artistike

    0
    400

    Ministria e Kulturës duhet të kishte shpallur projektet fituese në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore për këtë vit, që në datën 15 shkurt. Por deri tani nga ministria nuk ka asnjë njoftim për projektet. Të gjendur në këtë situatë, artistë të ndryshëm njëkohësisht dhe drejtues të aktiviteteve, që zhvillohen përgjatë vitit kërkojnë shpalljen sa më shpejt të projekteve fituese. Për artistët, me shumë rëndësi është dhe transparenca mbi bordin që bën përzgjedhjen si dhe buxhetet, gjë që sipas tyre ka munguar më parë. Kjo situatë sipas tyre sjell dhe probleme me aktivitetet, pasi vetë ministria nuk po respekton datat që i ka caktuar vetë. Drejtori i festivalit ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” Alfred Bualoti shprehet se nuk duhet të ketë vonesa, pasi përgatitjet kanë filluar nga artistët. “Uroj që t’i shpallin projektet. Por është një situatë jo normale, sepse dihen problemet me projektet dhe më parë. T’i shpallin sa më parë që të kemi dhe kohë të marrim vesh se çfarë buxhetesh do të kemi. Por sigurisht dhe transparencë mbi vendimmarrjen, si bëhet vlerësimi, si janë buxhetet e këtij viti”, pohon Bualoti. Piktori Robert Përmeti shprehet se deri më tani vetë Ministria e Kulturës që vendos dhe rregullat nuk ka qenë transparente. “Problemet me projektet te Ministria e Kulturës nisin që me aplikimet. Nuk është e thënë që të gjithë piktorët të jenë të pajisur me kompjutera dhe laptop. Mund të ketë konferenca shtypi që të bëhet prezantimi mbi aplikimet dhe shpalljen e fituesve. Por mbi të gjitha deri tani ministria nuk ka pasur transparencë. Kur të kërkojnë për të aplikuar për projektet ministria e kërkon me urgjencë e do me data fikse. Nëse shkon një ditë më pas nuk bëhet. Vetë Ministria e Kulturës edhe pse shpall datat si t’i teket as nuk merr mundimin të zbatojë rregullat, që thotë vetë. As nuk tregon si fitoi x projekt dhe mbi çfarë kriteresh. Pra shkurt bëhet një punë formale”, tregon piktori Robert Përmeti. Sipas piktorit kjo është një situatë që ndikon në jetën artistike dhe sa më shumë vonesa aq më shumë probleme për artistët. “Ne për ekspozitën tonë aplikonim, por kurrë nuk gjetëm mbështetje. Në ministri ka mungesë transparence për ato që sponsorizon. Paratë shkojnë më shumë aty ku do ministria dhe nuk ka një vlerësim si duhet. Ministria të shpallë bordin dhe buxhetet për ato projekte që miratohen, por aty janë një grup zyrtarësh që nuk hapin gojën, madje nuk bëjnë as takime me grupet e interesit për problemet e artistëve. Ministria vonon projektet, por nëse do të ketë një aktivitet në mars si do të zhvillohet?”, shprehet piktori Robert Përmeti.

     Zhvillimi i projekteve më 20 shkurt-5 dhjetor

    Festivali ndërkombëtar “Pianodrom” mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme në jetën artistike. Janë artistë të njohur në botë, por dhe ata shqiptarë që bëhen bashkë në këtë festival. President i festivalit kompozitori Aleksandër Peçi shprehet se është në pritje të projekteve fituesve që shpall ministria, por sipas tij vonesat asnjëherë nuk janë të mira kur flitet për ndihmën që presin artistët. “Nëse ministria ka vënë datat ato duhet të respektohen. Zvarritja sjell probleme, sigurisht që ministria është vonë me shpalljen e projekteve fituese. Festivalin tim e kam në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, por megjithatë unë deri tani kam nisur të punoj me emra të mëdhenj ndërkombëtar që kanë axhendën e tyre dhe duhet ti planifikoj. Por sigurisht që dua të di dhe çfarë buxheti del nga Ministria e Kulturës”, pohon kompozitori Peçi. Sipas tij, mbi të gjitha ministria duhet të jetë transparente për projektet. “Kur të shpallen të ketë transparencë sa buxhet ndahet për secilin projekt. “Pianodrom” është dhe festivali më i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e muzikës. Unë dhe për këtë edicion të këtij viti kam bërë një planifikim, që e kam paraqitur në ministri”, pohon kompozitori Aleksandër Peçi. Në faqen zyrtare të ministrisë thuhet se ky fond shkon për projekte që zhvillohen në Shqipëri dhe projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor. Sipas ministrisë aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 20 shkurt- 5 dhjetor të vitit 2019. Thirrja për projekt-propozime e Ministrisë së Kulturës për vitin 2019 u hap datë 4 dhjetor 2018 dhe sipas faqes zyrtare u mbyll më 15 janar 2019. Po sipas faqes zyrtare, përzgjedhja përfundimtare shpallet nga kolegjiumi në datën 15 shkurt 2019.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here