65% e gjyqtarëve të Gjykatave Administrative në Shqipëri të korruptuar, ngelën në veting për shkak të pasurisë

0
625

Një studim mbi deklaratat e pasurisë së 48 gjyqtarëve të Gjykatave Administrative në vend tregon se mbi 15 për qind e pasurisë nuk justifikohet nga burime të ligjshme, ndërkohë që evidentohen vlera të larta të pasurisë informale si dhe burime të dyshimta të ardhurash. Nëntorin e vitit 2013, Shqipëria i hapi dyert sistemit të drejtësisë administrative me pritshmëritë për zgjidhje të shpejta të mosmarrëveshjeve të shkaktuara nga autoritetet publike. Si pjesë e këtij sistemi u ngritën gjashtë Gjykata Administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit, të cilat numërojnë së bashku 48 gjyqtarë. BIRN ndërmori një analizë të thelluar të deklaratave të pasurisë së 48 gjyqtarëve të Gjykatave Administrative. Të dhënat e përftuara tregojnë se 31 gjyqtarë ose 65% e totalit nuk arrijnë ta justifikojnë pasurinë të paktën për një vit të deklarimit të tyre.

Pasuria e pajustifikuar nga të ardhurat neto evidentohet në 55 deklarata të gjyqtarëve administrativë ose në 9% të totalit të deklaratave të analizuara. Ajo kap një vlerë prej 110 milionë lekësh ose 15% të pasurisë totale të deklaruar. Listën e gjyqtarëve me probleme në justifikimin e pasurisë e kryeson Gjykata Administrative e Apelit me 21 deklarata. Ajo pasohet nga Gjykata Administrative e Gjirokastrës dhe më pas ajo e Tiranës. Kontrolli i pasurisë është një ndër shtyllat kryesore të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, proces i cili sapo përmbylli vitin e parë të funksionimit të tij. Përgjatë 14 viteve të deklarimit, 48 gjyqtarët e Gjykatave Administrative në vend kanë siguruar të ardhura me vlerë 1.3 miliardë lekë. Megjithatë, të ardhurat nga funksioni i gjyqtarit zë vetëm 45% të ardhurave familjare të subjekteve të analizuara. Në analizën e pasurisë së gjyqtarëve të Gjykatave Administrative, zëri i dytë më i lartë pas pagave është ai i të ardhurave nga biznesi. Gjyqtarët kanë deklaruar së bashku të ardhura me vlerë 97 milionë lekë në këtë kategori, ose 7.3% e të ardhurave totale. Fitimet nga shitblerja e pasurive dhe të ardhurat nga qiratë konkurrojnë me njëra-tjetrën, duke zënë respektivisht 5.7% dhe 4.9% të totalit të burimeve financiare. Ndërsa dhuratat në cash janë 17.5 milionë lekë dhe zënë 1.3% të totalit. Rreth 19.2% e të ardhurave të gjyqtarëve në Gjykatat Administrative buron nga biznesi, shitblerja e pasurive të luajtshme/paluajtshme, dhuratat dhe qiradhënia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here