Gjici kthen Cungun në krye të Kukësit, ultimatum për 4 fitore radhazi

0
471

Kukësi ka lënë pas krizën dhe po mendon për të ardhmen. Disfata e së premtes kundër Teutës në stadiumin “Nikoi Dovana” në Durrës ishte shokuese për ekipin, stafin teknik me në krye Armando Cungun, e sidomos për stafin drejtues me në krye presidentin Safet Gjici. Për dy ditë me radhë trajneri shkodran i Kukësit mbeti në “ajër”, pasi ishte shkarkuar, por “pa dekret”, dhe dje erdhi një “urdhër” i dytë që e anulonte “urdhrin e parë”, domethënë Cungu nuk shkarkohet, e sipas Gjicit këtë e kishte sajuar media sepse ai as e kishte çuar nëpër mend të largonte trajnerin. E megjithatë, siç ndodh zakonisht me presidentin e klubit verilindor, pas besimit që i dha trajnerit, stafit në tërësi dhe skuadrës, ka ardhur dhe “ultimatumi” i radhës, ku i kërkon ekipit të fitojë katër ndeshjet e radhës. Kjo duket aq e vështirë po aq sa paradoksale, megjithatë, askush nuk tha asgjë e për pasojë të gjithë ngrenë dorën “pro”, edhe pse të gjithë e dinë që në këtë kampionat, ku rivaliteti është ekstrem, të sigurosh katër fitore radhazi është njëlloj si të thuash ke fituar titullin kampion. Përtej qëndrimeve dhe deklaratave, Gjici kujtoi se nuk do të vendosë gjoba (sikurse kishte qenë ideja e parë pas humbjes ndaj Teutës), përkundrazi, tha se do të ketë shpërblime nëse skuadra do të fitojë katër duelet e radhës në këtë fazë të tretë të kampionatit në Kategorinë Superiore. Pra, Safet Gjici e rikonfirmoi dhe një herë teknikun shkodran Armand Cungu në krye të Kukësit. “Trajneri ka qenë pushim ditën pas ndeshjes, ka qenë në Shkodër si zakonisht. Tani vijon punën, nuk ka pasur asnjë vendim për ta larguar. Ka besimin tim absolut, sepse loja nuk ka qenë e keqe, përtej rezultateve”, u shpreh që në fillim të herës presidenti i Kukësit, Safet Gjici, duke qartësuar në këtë mënyrë një herë e mirë çështjen e trajnerit. Pyetjes se përse lojërat e mira nuk po shoqërohen me rezultatet e kërkuara, Gjici iu përgjigj prerë se skuadra po funksionon mirë dhe stafi ka punuar mirë. Një qëndrim krejt ndryshe nga dy ditë më parë kur kishte ngritur në ekstrem furtunën në kampin verilindor dhe skuadra ishte dërrmuar pas humbjes me Teutën.

“Loja po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. E patë vetë në Durrës që luajtëm shumë mirë, mund të na jepej një penallti, por ndoshta edhe arbitri e humbi qetësinë. Klubi nuk ka marrë asnjë vendim për trajnerin, përndryshe do ta kishim zyrtarizuar ne, si klub, jo mediat”, shtoi Gjici. Aktualisht në vend të tretë në Superiore, me 38 pikë, 8 pikë më pak sesa Partizani kryesues, Gjici më shumë duket se është irrituar nga fakti se media ka raportuar për shkarkimin e Cungut. “Unë i marr vendimet pa ndikimin e askujt dhe nuk pushohet trajneri nga mediat. Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi e madhe për ndeshjet e ardhshme. Kamza nuk duhet nënvlerësuar, edhe pse renditet e fundit. I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Skuadra është cilësore, blerjet janë të shkëlqyera. Në Durrës më zhgënjeu mbrojtja, e papranueshme që humbëm ashtu, me 2 gola ne 3 minuta”, shtoi më tej presidenti i skuadrës verilindore. Gjici e ka të qartë se Kukësi i tij është ende në garë për titullin kampion, i ndihmuar edhe nga fakti që Partizani nuk mori pikë në Laç. “Skuadra ka eksperiencë, disa lojtarë janë kampionë. Duhet kohë për të gjetur ekuilibrat e reja. Jemi 3 ekipe për titull, edhe Teuta, pavarësisht se sillet si “nëndetëse”. Partizani merret vetëm me ne. Kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, përkundrazi, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës”, përfundoi Gjici fjalën e tij në daljen e djeshme para gazetarëve, ku qartësoi jo vetëm qëndrimin e tij si president i skuadrës, por njëherësh shpalosi dhe objektivat e skuadrës së Kukësit në pjesën e mbetur të sezonit dhe këto objektiva janë padyshim për titull”, përfundoi numri një i klubit të Kukësit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here