Enver Petrovci sjell premierën “Kreolët e Ballkanit” në Teatrin Eksperimental

0
574

Drama “Kreolët e Ballkanit” vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për publikun. Shkruar dhe me regji nga Enver Petrovci “Kreolët e Ballkanit” sjell histori dashurie, aksion dhe dramë. Shfaqja teatrore vjen mbrëmjet e datave 8 dhe 9 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku këtë vit drama shqipe me autor dhe regjisor Enver Petrovcin duket se është dhe premiera e fundit. Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë. Për autorin  dramës Enver Petrovci në këtë botë disa luftojnë për tokën dhe të tjerë për shpirtin. “Bota përbëhet prej të papërcaktuarave, disa luftojnë për shpirtin dhe të tjerë për tokën” shprehet autori Enver Petrovci. Puna për ta sjellë në skenën e teatrit ka vijuar para disa kohësh dhe në role janë aktorë nga Kosova dhe Shqipëria. Rolet në dramën “Kreolët e Ballkanit” regjisori Enver Petrovci ia ka besuar aktorëve si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci. Skenografia është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj. Këtë herë vepra shënon premierën në Tiranë, por ajo nuk ka munguar dhe në skenën e Kosovës. Disa vite më parë kjo vepër teatrore është dhënë premierë në skenën e Prishtinës, ku atje është ndjekur me vlerësimin e publikut. Këtë muaj të fundit të viti kjo premierë teatrore, që i takon dramaturgjisë shqiptare është në skenën e Tiranës. Këtë herë për premierën e Tiranës janë aktorë që publiku i njeh për aktivitetin me teatrin, por mes tyre rol i ka besuar dhe vajzës së tij Vanesa Petrovci. Vepra pas skenës së Tiranës mendohet që do të vijojë më pas dhe në skenat e teatrit në Kosovë.

 Aktiviteti artistik

Me një jetë artistike në skenat e Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë si regjisor dhe aktor Enver Petrovci është nga emrat e artit më të vlerësuar. Jo vetëm me teatrin, por dhe me kinemanë ka dhënë një kontribut të vlerësuar. Me role nuk ka munguar në filmat në Kosovë dhe në Shqipëri, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur. Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studio në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë, duke u vlerësuar një nga aktorët më të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare. Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare. Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here