Rikthehen dorëheqjet në radhët e sistemit të drejtësisë. Para se të niste procesi i vetingut, ju dha një mundësi gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhiqen, duke shmangur procesin e verifikimit. Por më pas pati një vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila bëri të ditur se çdokush ka të drejtë të largohet në çdo moment dhe vetingu ndërpritet. Gazeta ka mësuar se së fundmi ka dhënë dorëheqjen nga detyra gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Metush Saraçi. Kjo është bërë e ditur nga Presidenca, e cila në faqen zyrtare ka njoftuar se kërkesa e Saraçit është dorëzuar më 5 nëntor. Nuk dihen arsyet e largimit të tij nga detyra, por me këtë lëvizje Saraçi largohet dhe nga procesi i vetingut.
Sipas ligjit, në momentin që një gjyqtar jep dorëheqjen, presidenti vë në dijeni Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, të cilit i kërkon ndërprerjen e vetingut. Presidenca ka një rubrikë të posaçme ku hedh të gjithë emrat e dorëhequr, duke argumentuar se kjo është bërë sipas nenit 56 të ligjit 84/ 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë nen thuhet: “Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit. Pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas nenit 7, pika 1, të ligjit ‘Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit’”, thuhet në këtë nen. KPK pritet që dhe për zotin Saraçi të japë të njëjtat argumente si për Adriatik Llallën. Edhe ky i fundit u largua pasi kishte dorëzuar deklaratat përkatëse. KPK e bazon ndërprerjen e vetingut te argumentet e Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për vendimin nr 78. 12.12.2017, ku përcaktohet se për sa kohë që procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar, çdo subjekt ka të drejtë që ta ndërpresë vetingun pas dorëheqjes.