Zgjidhi ngërçin për ngritjen e KLP, komisioni i vetingut zbardh arsyet pse u konfirmua në detyrë prokurori Bujar Sheshi

0
417

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi dje vendimin për rikonfirmimin në detyrë për prokurorin e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, Bujar Sheshi. Ai nuk është emër i panjohur për publikun shqiptar sepse është pikërisht prokurori që përmes kandidimit të tij, zgjidhi ngërçin për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kur për KLP mungonin kandidatët nga Apeli i Tiranës, Sheshi në limitet e kohës dorëzoi kandidaturën e tij, duke i dhënë kështu zgjidhje situatës së krijuar. Interesant është fakti se Bujar Sheshi e pati kaluar vetingun kur shprehu interes për tu bërë pjesë e KLP, ndërsa komisioni i vetingut dje ka renditur të gjitha arsyet se pse vendosi për rikonfirmimin e tij në detyrë. Sipas KPK, ai nuk ka probleme me pasurinë.

“Shuma e vogël e padeklaruar e shpenzimeve në vitin 2003 nuk krijon dyshime mbi mënyrën e krijimit të këtyre të ardhurave. Nga analiza financiare ndër vite rezulton se subjekti ka pasur mjete monetare të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e kryera. Duke e bazuar gjykimin mbi parimin e proporcionalitetit, këto pasaktësi nuk ndikojnë në vlerësimin e përgjithshëm të pasurisë së subjektit. Komisioni çmon se pasaktësitë e konstatuara në këtë rast nuk reflektojnë negativisht në pozicionin e prokurorit apo të cenojnë besimin e publikut tek drejtësia. Komisioni, vlerëson se subjekti i rivlerësimit, z. Bujar Sheshi, ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së tij dhe vlera e pasurisë së tij nuk kalon dyfishin e pasurisë së ligjshme”, thuhet në vendim. KPK thekson po ashtu se Bujar Sheshi gëzon integritetin e figurës për të vijuar detyrën. “DSIK ka kryer kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit. Sipas këtij raporti, subjekti i rivlerësimit ka plotësuar saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, si dhe nuk ka informacione se subjekti ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar. Nga hetimi administrativ nuk u gjet asnjë element që të vërtetojë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar”, vijon më tej vendimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here