Është identifikuar dhe po kërkohet të ndalohet personi që hodhi mjetin shpërthyes që i këputi gishtat polices 24 vjeçare dje në protestë. Policja e plagosur tregoi është dërguar jashtë për kurim. Ndërkohë për aktet e dhunës janë arrestuar 11 persona ndërsa nga nisja e protestës tek Unaza e Re, 60 protestues po ndiqen penalisht.
Përveç 11 të arrestuarve, policia e Tiranës pritet të ndalojë dhe procedojë penalisht edhe persona të tjerë në lidhje me protestën e dhunshme para parlamentit. Mes tyre është identifikuar edhe personi që hodhi kapsollën e fuqishme, nga e cila u dëmtua rëndë në gishta efektivja e repartit “Shqiponja”, Ina Nuka.
Ekspertët kriminalistë kanë konstatuar se shashkat që u përdorën të enjten kishin një përmbajtje shumë të lartë baruti, ndryshe nga mjetet e zakonshme piroteknike. Një verifikim tjetër po kryhet edhe për mënyrën sesi protestuesit i kanë siguruar këto kapsolla që u përdorën dhe hodhën në masë ndaj policisë.