SHBA thanë dje se do të rivendosin sanksionet e plota ndaj Iranit prej javës që vjen, por kanë dhënë përjashtime për tetë vende, të cilat do të lejohen përkohësisht të blejnë naftën iraniane. Sekretari amerikan i shteti Mike Pompeo, nuk tha në deklaratën e tij se cilat janë tetë vendet, por ato besohet gjerësisht të jenë aleatë të SHBA si India, Japonia, Italia, dhe Korea e Jugut. Gjithashtu dhe Kina, importuesja më e madhe e naftës së Iranit, me shumë gjasa do të ketë lejen e saj, teksa Uashingtoni do të përpiqet të evitojë konfrontimet e mëtejshme me Pekinin, pas hapjes së luftës së tarifave tregtare. Ndërkohë në Ankara, ministri i energjisë së Turqisë tha se vendi është mes tetë vendeve të përjashtuara nga sanksionet. Sanksionet amerikane ndaj industrisë së naftës iraniane hyjnë në fuqi të hënën dhe janë vala e dytë e masave ndëshkuese që prej tërheqjes së presidentit Donald Trump nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin. Ndërkohë çmimi i naftës nuk pësoi ndryshim në tregjet botërore pasi u kuptua se sanksionet nuk do të ishin aq të ashpra sa pritej.
Përjashtime të përkohshme
Por Pompeo tha se përjashtimet ishin të përkohshme dhe kishin si qëllim ndalimin e rritjes së çmimit naftës në tregjet botërore. Ai shtoi se dy nga tetë vendet në fjalë do të ndërprisnin të gjitha importet nga Irani, ndërsa gjashtë të tjerat do të vazhdonin me nivele të reduktuara ndjeshëm. “Qëllimi i sanksioneve është përjashtimi i regjimit iranian nga të ardhurat që përdor për të përhapur vdekje dhe shkatërrim nëpër botë. Objektivi ynë kryesor është të detyrojmë Iranin të braktisë përfundimisht aktivitetet e tij të jashtëligjshme dokumentuara dhe të sillet si një vend normal”, tha Pompeo. Shtëpia e Bardhë ka thënë se 700 individë iranianë, kompani, mjete detare dhe ajrore janë shtuar në listën e sanksioneve, me të cilat rikthehen të gjitha kufizimet e hequra nga administrata e Barack Obama në kuadër të marrëveshjes bërthamore gjashtë-palëshe. Por megjithë rikthimin e masave në nivelin e para vitit 2015, Bashkimi Evropian, Rusia e Kina janë zotuar të vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin.
Irani nuk mund të hiqet nga tregu
Autoritetet në Iran thanë dje se përjashtimet nga sanksionet e SHBA tregonin se nafta iraniane nuk mund të hiqet nga tregu. “Përjashtimet e dhëna për këto tetë vende tregojnë se tregu ka nevojë për naftën iraniane. Ende nuk e dimë nëse përjashtimet janë të përhershme apo të përkohshme”, tha zv. ministri iranian i energjisë Ali Kardor. Më parë Pompeo kishte thënë se SHBA pret që të çojë eksportet iraniane të naftës në zero, edhe pse kishte pranuar se po negociohej për përjashtimet me kombet të cilat e kanë naftën e Lindjes së Mesme kritike për nevojat e tyre energjetike. Ndërkohë sanksionet parashikojnë ndalimin e import-eksporteve të mallrave të tjera nga Irani, edhe pse BE ka krijuar një instrument të veçantë financiar për mbrojtjen e bizneseve evropiane nga sanksionet amerikane. Por gjithsesi shumica e bizneseve evropiane janë trembur nga sanksionet dhe kanë mbyllur operacionet. Brenda në Iran valuta vendase ka humbur vlerë të konsiderueshme dhe qytetet janë tronditur nga protestat. Qeveria e Hassan Rouhani, presidenti relativisht i moderuar, po vihet nën presion si nga publiku ashtu dhe nga elementët më radikalë të regjimit. Administrata e presidentit Trump llogarit se presioni ekonomik më në fund do të detyrojë Iranin të bëjë tolerime si ndaj programit të tij bërthamor ashtu dhe ndaj sjelljes rajonale në Lindjen e Mesme në lidhje me aktivitetet ushtarake në Siri, Jemen dhe retorikën anti-izraelite./ Andi LAMKO