Mungesa e ndërhyrjeve, mbi 20 monumente kulturore unike rrezikojnë shembjen nga Jugu në Veri

    0
    1007

    Monumente të kulturës prej vitesh të lëna pa ndërhyrje po shkojnë drejt rrënimit total. Jo pak herë specialistë të trashëgimisë kanë bërë me dije se ka munguar ndërhyrja nga institucionet, që ka sjellë edhe degradimin e tyre. Edhe pse me statusin monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, investimet kanë munguar pre vitesh. Sot kemi kisha monument kulture, që janë në degradim, xhami që prej vitesh mungon ndërhyrja, banesa monumente kulture në qendra historike që presin restaurime. Listës i shtohet dhe shtëpia e Gjergj Fishtës. Po ashtu ura që gëzojnë statusin monument kulture janë në degradim. Kishat mbi 100-vjeçare në rrethin e Lezhës rrezikojnë të humbasin identitetin e tyre. Një grup tjetër prej 12 kishash në Voskopojë dhe Vithkuq të ndërtuara në shekujt 17 e 18, janë shpallur në listën e shtatë më të rrezikuara në Europë. Sipas specialistëve kishat janë me lagështi në dysheme e në mure, ku janë afresket. “Gjendja skandaloze e afreskeve, ku nga lagështira kanë mbirë kërpudha dhe mbushur me kripëra. Shpesh dëmtimet në to janë të pakthyeshme”, janë shprehur specialistët. Për specialistët e trashëgimisë, deri tani Ministria e Kulturës dhe IMK kanë bërë pak për monumentet ndërsa degradimit vazhdojnë.

    Gjashtë kisha në Lezhë pa ndërhyrje

    Objekte monumente kulture në Lezhë drejt rrënimit. Janë gjashtë kisha, që sipas përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës Paulin Zefi nuk kanë pasur vëmendje nga institucionet. Kisha e Shën Premtes në Balldre, kisha e Shën Shtjefnit në Blinisht, kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Merqi, kisha e Shën Aleksandrit në Spiten, kisha e Shën Nikollit në Zejmen apo dhe kisha e Shën Barbarës në Pllanë, kërkojnë ndërhyrje nga institucionet pasi gjendja e tyre lë për të dëshiruar. Specialisti Paulin Zefi ka bërë me dije se ka pasur shumë pak ndërhyrje ndër vite. “Në gjendje më të vështirë dhe më e amortizuar është kisha e Shën Nikollit në fshatin Zejmen. Afresket janë fshirë dhe kanë mbetur gjurmë të vogla, janë dëmtuar dhe muret. Kemi probleme dhe kishën e Shën Barbarës me afresket, që kanë ardhur duke u dëmtuar si rezultat i lagështirës, si dhe çatia ka probleme. Tavani po ashtu ka rënë. Kjo kishë është mesjetare dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje”, pohon specialisti Zefi. Ai vijon se në kishën e Balldrenit ndërhyrja e fundit ka qenë në 2002 nga IMK. Përmes një statusi në profilin e tij ai shkruan se është një objekt unik. “Nëqoftëse dëshironi të ktheheni pas në kohë dhe të përjetoni “Epokën e Mesjetës”, vizitoni Kishën Katolike të Shën Premtes në fshatin Balldre të Lezhës, që është ndërtuar në shek.XII-XIII. Unë personalisht e vizitoj shpesh, sepse ky objekt religjioz është me të vërtetë “unik” në vendin tonë. A nuk është mëkat dhe krim që ky aset kaq i çmuar i trashëgimisë tonë kulturore kombëtare të lihet në harresë nga institucionet shtetërore”, shkruan specialisti Zefi. Por apeli i tij shkon për ndërhyrje urgjente dhe për kishën në Blinisht. “Ndërhyrje urgjente ka nevojë ballina e kishës”, bën me dije Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë në Bashkinë e Lezhës.

    Shtëpia e Fishtës drejt rrënimit

    Shtëpia e At Gjergj Fishtës drejt rrënimit. Për specialistin Paulin Zefi është e papranueshme që institucionet nuk ndërhyjnë në këtë objekt që gëzon dhe statusin monome kulture i kategorisë së dytë. “Ministrja Kumbaro është shprehur publikisht në media kundër ndërhyrjes në këtë objekt, sepse “Fishtën e lindur dhe të rritur në Fishtë ka vendosur ta respektojë vetëm duke shpallur M.K. Kolegjin Françeskan në fshatin Troshan”. Bashkia Lezhë nuk ka asnjë lloj kompetence ligjore për të ndërhyrë në këtë banesë të harruar. Objekti mbrohet (rrënohet) dhe administrohet (keqmenaxhohet) nga Ministria e Kulturës dhe ky është i vetmi institucion fuqiplotë që vendos për fatin e çdo monumenti kulture në Shqipëri”, pohon si. Sipas tij nëse Bashkia Lezhë, do të kishte qoftë edhe kompetencën më të vogël ligjore për të shpëtuar këtë objekt nga rrënimi i tij i plotë gjendja e saj do të ndryshonte. “Por Ministria e Kulturës vazhdon ta “mbajë topin në fushën e saj” dhe mirë që nuk ndërhyn ajo vetë, por edhe bën të pamundurën që të pengojë edhe palët e interesuara. Prandaj Shtëpia e At Gjergj Fishtës vazhdon të rënkojë që nga themelet”, pohon Zefi.

     12 kisha të rrezikuara në Voskopojë dhe Vithkuq

    Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq në Shqipëri janë renditur në listën e 7 më të rrezikuarat të trashëgimisë në Europë në 2018. Kishat e Voskopojës e Vithkuqit janë një grup 12 kishash të ndërtuara në shekujt 17 e 18. Ato janë provat më autentike të zhvillimit ekonomik të këtyre qendrave kristiane gjatë regjimit Otoman në Ballkan. Organizata “The Past for the Future” (E shkuara për të ardhmen), e cila bëri dhe propozimin në organizatën “Europa Nostra” ka identifikuar shumë kërcënime për këto kisha. Kërcënimi kryesor është neglizhenca totale e administratës përgjegjëse, pra Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës. “Dëmtimet nga uji, lagështira kërcënojnë pikturat e brendshme murale, veçanërisht në kishat që kanë humbur edhe çatitë ose dritaret nga dëmtimet. Disa nga afresket po humbasin ngjyrat e tyre prej kontaktit të drejtpërdrejtë me shiun ose dritën e diellit. Shumë nga pikturat murale të teknikës së afreskut, po shkëputen nga muret dhe janë gati të bien përtokë”, thuhet në materialin e fondacionit “E shkuara për të ardhmen”.

    Xhamia e Vokopolës po humb vlerat

    Xhamia në fshatin Vokopolë e ndërtuar mbi 350 vite më parë në Bashkinë e Poliçanit është një tjetër monument kulture i trashëguar që shkon drejt shkatërrimit. Edhe pse e lënë pas dore, kur e sheh nga larg, xhamia dallon për karakteristikat e një ndërtese qindravjeçare, me mure të fortë, ndërtuar me gurë të bardhë e të latuar. Çatia, që u ka rezistuar kohërave, ka formë të veçantë në krahasim me xhamitë e tjera. Muret brenda saj kanë harqe e qemere dhe në vendin ku kryheshin ritet, ende ka gjurmë të shkrimeve apo ornamente të pikturuara gjatë kohës kur u ndërtua. Xhamia shërbeu si objekt kulti deri në vitet e para të sistemit komunist dhe në vitin 1949 u kthye në shkollë, por pas viteve ‘90 nisi degradimi i shpejtë i saj. Fillimisht iu vodhën dritaret, u shkatërruan pikturat dhe gjithçka e gdhendur brenda saj. Edhe pse është objekt muzeal, mungesa e përkujdesjes ka bërë që ajo të humb vlerat e saj.

    Ura e Kurcajt, e braktisur

    Ura e Kurcajt në Krujë është monument kulture, por mungesa e vëmendjes nga institucionet ka bërë që të shkojë drejt degradimit. I përket shekullit XVIII dhe ka një pamje mjaft të bukur, por për shkak të lënies në harresë ura tashmë është e pakalueshme. Më herët banorët dhe historianë të zonës thonë se shpesh janë ankuar për gjendjen në të cilën ndodhet ura. Sipas tyre duke parë gjendjen në të cilën ndodhet një monument kulture i kategorisë së parë kërkohen një ndërhyrje emergjente, në të kundërt ura e Kurçajës mbi lumin Zerzë rrezikon të zhduket nga harta e monumenteve të kulturës. Ura e Kurçajt i shërbente rrugës së shkurtër të karvanëve Tiranë-Krujë, sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Një ndërtim i shekullit XVIII, në faqet ballore është e punuar me gurë pllakë të zinj, vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh.

    Kisha e Shën Todrit, pa mirëmbajtje

    Kisha e Shën Todrit në Myzeqe, monument kulture por pa asnjë mirëmbajtje po shkon drejt rrënimit. Kisha e Shën Todrit është e regjistruar dhe në fondin e monumenteve të kulturës, herë pas here vizitohet dhe nga eksplorues të huaj dhe studiues për vlerat që ajo mbart. Është kisha më e vjetër në zonën e Myzeqesë dhe daton që në shekullin 13, por ajo po shkon drejtë rrënimit total. Kisha e Shën Todrit në Kadipashaj prej kohësh është në gjendje shumë të keqe infrastrukturore, por pavarësisht situatës që ajo paraqitet askush nuk ka vënë dorë për restaurimin e saj. Kisha e Shën Todrit, e cila mendohet se është e dyta më e vjetër pas manastirit të Ardenicës mbart në vetvete jo vetëm vlera historike e fetare, por edhe arkitekturore. Afresket dhe të gjitha punimet e drurit të ikonostasit janë origjinale dhe unike në llojin e vet. Në periudhën e mesjetës ka shërbyer si manastir e më vonë rreth viteve 1800 si kishë. Ky fakt vërtetohet nga konaqet që kanë shërbyer për bujtësit e manastirit përbri me objektin./ Julia VRAPI

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here