Plot 13 zyrtarë të lartë në kryeqytet janë përfshirë në afera korrupsioni dhe kanë fshehur pasuritë. Gazeta nxori pak ditë më parë fakte se si janë kallëzuar në prokurori deputetë e kryebashkiakë nga ILDKP dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave për vite me radhë, por askush nuk përballej me drejtësinë. Këtë herë gazeta ka siguruar informacione nga Gjykata e Tiranës e momentalisht pranë saj janë dorëzuar 8 çështje nga prokuroria për korrupsion pasiv për 8 zyrtarë të lartë. Ndërsa po ashtu janë dorëzuar dosjet për 5 zyrtarë të cilët kanë refuzuar të deklarojnë pasuritë. Gjatë raportimeve në komisionet parlamentare si përfaqësues të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, ashtu dhe të Drejtorisë së Pastrimit të Parave apo dhe të KLSH, ngritën shqetësimin se prokurori nuk i ndiqte çështjet e tyre. Periudha më shqetësuese ishte kur në krye të organit të akuzës ishte Adriatik Llalla. Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se drejtësia po lëviz. U arrestuan 2 ish-deputetë, ndërkohë që në gjykatë janë dërguar 13 zyrtarë të lartë. Gazeta tentoi të sigurojë emrat, por nuk u bë e mundur diçka e tillë, pasi sipas ndryshimeve më të fundit ligjore për të drejtën e informimit, të dhënat e palëve në hetim apo në proces gjyqësor do të jenë sekrete. Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, të cilët po përballen me drejtësinë. Amerikanët dhe Bashkimi Europian për vite me radhë kanë kërkuar goditje të korrupsionit në të gjitha nivelet. Ultimatumi më i prerë erdhi në muajin qershor. Komisioni Europian e bëri të qartë se nëse nuk ka të arritur dhe të dënuar për afera korrupsioni, atëherë nuk mund të ketë integrim europian. Qeveria së fundmi ka hartuar një plan konkret për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa sinjalet janë se tani ka filluar të lëvizë dhe prokuroria. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë gjykata, pasi shumë të akuzuar në gjykatë dalin të lirë.
19 zyrtarë të lartë kanë fshehur pasuritë
Gazeta ka publikuar pak ditë më parë një raport zyrtar të ILDKP, ku rezulton se plot 19 deputetë, ministra dhe kryetarë bashkie kanë fshehur pasurinë. Sipas raportit të ILDKP që disponon gazeta thuhet se gjatë 4 viteve të fundit, pra 2014-2018 janë 19 deputetë, ministra e krerë bashkish që janë gjetur me fshehje pasurie. Për këtë arsye për ta ka pasur kallëzime penale, por dhe është vënë në lëvizje Drejtoria e Pastrimit të Parave. “Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2018 ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të Hetimit Tatimor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 290 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Ambasadorë, Prefektë, Drejtorë të Përgjithshëm, Gjyqtarë, Prokurorë, Drejtorë Drejtorie etj. Nga këto, për funksionet Deputetë, Ministër, Kryetar Bashkie, janë gjithsej 19 referime”, thuhet në shkresën e ILDKP për gazetën “SOT’. Ndërkohë gazeta kërkoi dhe emrat e të kallëzuarve, por ILDKP bëri të ditur se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e ndalon diçka të tillë.