Liga e Europës zhvilloi ndeshjet në xhiron e tretë të saj në fazën e grupeve, ku ra në sy fitorja e skuadrave të mëdha, megjithëse pati dhe mjaft surpriza dhe zhgënjime, sikurse ishte rasti i Milanit në grupin F, që humbi në shtëpinë e tij ndaj Real Betisit. Pas humbjes në minutat e fundit, në derbin e “Madoninës”, Milani dështoi edhe në sfidën e radhës në “San Siro”, duke u mposhtur nga andaluzianët e Betisit me rezultatin 1-2, në sfidën e vlefshme për grupet e Europa League. Sanabria dhe Lo Celso shënuan për spanjollët, ndërsa Milani rihapi sfidën me Kutronen, para se Kastillejo të bënte një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarëve dhe të nxirrej jashtë me karton të kuq. Duhet thënë se fatet e ndeshjes u caktuan që në pjesën e parë, ku spanjollët shënuan dy gola dhe për Milanin gjithçka u bë e vështirë. Goli i kuqezinjve erdhi shumë vonë, kur kiishin mbetur më pak se dhjetë minuta lojë nga koha e rregullt. Kjo humbje mund të vështirësojë pozitat e trajnerit Ivan Xhenaro Gatuzo, ndaj të cilit mediat italiane thonin se drejtuesit e klubit nuk kanë më besim dhe mund ta shkarkojnë për të sjellë një teknik më të njohur dhe ku kandidatura e Antonio Kontes mund të jetë e dëshiruara dhe ndoshta adapt për këtë skuadër. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Olimpiakosi mundi në transfertë luksemburgasit e Dudelanzh me rezultatin e pastër 2-0. Pas ndeshjeve të xhiros së tretë, kryesimin e merr Real betis me 7 pikë, ndjekur nga Milani me 6 pikë, më pas Olimpiakosi me katër pikë dhe në fund Dudelanzh me zero pikë. Në ndeshjet e tjera të Ligës së Europës nuk munduan emocionet dhe natyrisht surprizat. Në Portugali, Arsenali mori një fitore minimale, falë një goli të shënuar nga Danny Uelbek në minutën e 77-të, ndërsa grekët e Olympiakosit triumfuan me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj surprizës europiane, Dudelange. Fenerbahce arriti të shmangë humbjen në Bruksel, teksa në përballjen me Anderlehtin e pa veten në disavantazh të dy golave, por reagoi dhe barazoi me golat e Frey dhe Kaldirim, ndërsa në Austri, Salzburgu mposhti me rezultatin e pastër 3-0 norvegjezët e Rosenborgut. Sfida e gjykuar nga shqiptari Enea Jorgji, mes Aek Larnakës dhe Ludogoretsit, përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Qarabagu i Ansi Agollit u mposht në shtëpi me rezultatin minimal 0-1 nga Vorslka Poltava. Fitore mori edhe Dinamo Zagreb në transfertën sllovake ndaj Spartak Ternavës, pasi përmbysi disavantazhin e pjesës së parë për të triumfuar me rezultatin 1-2, ndërsa Zyrihu fitoi 3-2 në një ndeshje spektakolare përballë gjermanëve të Bajer Leverkusenit. Në sfidat e tjera, Leipzig mposhti me rezultatin 2-0 skocezët e Sëlltik, Zeniti triumfoi 2-1 ndaj francezëve të Bordo dhe Kopenhagen u mposht 0-1 nga Slavia e Pragës. Theksojmë se ndeshjet e kësaj xhiroje dhe rezultatet që ato prodhuan janë të rëndësishme për fatet e renditjes në grupe, ku ambiciet janë për ekipet e mëdha që të vazhdojnë më tej në këtë kompeticion./Adriatik BALLA