Pas rrëzimit nga SHBA-BE, PD nis lobimet tek Partitë Popullore Europiane për vetingun në politikë

0
383

Partia Demokratike duket se është e vendosur për t’i shkuar deri në fund vetingut në politikë. Pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian rrëzuan në unison të plotë idenë e hedhur nga demokratët për veting në politikë. Por ditën e djeshme PD ka bërë një lëvizje tjetër, teksa deputetët, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi gjatë një diskutimi që kanë patur në Akademinë Politike të Vjenës, kërkuan mbështetjen e Partive Popullore Europiane për vetingun e politikanëve.

“PD ka ndërmarrë nismën e ndarjes së politikës nga krimi; Vetingu në Politikë është një proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj Europiane. Ndihma e PPE dhe partive si motra në këtë proces është shumë i mirëpritur, jo vetëm për rëndësinë e kauzës por pasi krimi me mbështetje qeveritare është edhe një kërcënim për BE-në. Propozimi i dytë ka të bëjë me Platformën Antikorrupsion dhe Oligarki, që synon sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë korruptive nga kompanitë e lidhura me qeverinë dhe mazhorancën. Pasuri të përfituara nga tenderat, koncesionet dhe formati PPP i aplikuar në mënyrë antikushtetuese nga qeveria për të favorizuar një dorë biznesesh”, deklaroi Tabaku. Po ashtu, deputetja demokrate, Jorida Tabaku shtoi se Partia Demokratike e ka integrimin Europian një qëllim jetik, ndaj ka vendosur të bëjë gjithçka në këtë drejtim, pavarësisht se sipas saj, qeveria me treguesit e saj negativë, po e largojnë Shqipërinë nga Bashkimi Europian.

“Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e kanë shprehur dakordësinë për çdo çështje që lidhet me Integrimin. Angazhimi i tij për integrimin ka qenë konkret. Ai ka takuar personalisht anëtarë të qeverive kryesore që kanë një votë në BE për të lobuar çeljen e negociatave”, nënvizoi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Ndërkohë, sipas njoftimit nga partia Demokratike, lidhja e politikës me krimin, korrupsioni në tendera, koncesione e PPP, mungesa prej gjashtë muajsh e Gjykatës Kushtetuese, protesta prej pesë muajsh e artistëve kundër ligjit që i hap rrugë prishjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të kullave për afera klienteliste, u diskutuan nga deputetja Jorida Tabaku. Kujtojmë që diskutimet u shtruan në takimin vjetor të organizuar nga Partia Popullore Europiane (PPE) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) në Akademinë Politike në Vjenë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here