Kreu i Zyrës Federale Kriminale Gjermane zbarkon në Tiranë, Berlini asistencë për të goditur grupet kriminale

0
406

Gjermania ka rritur vëmendjen ndaj Shqipërisë sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dje ka mbërritur në Tiranë zëvendëspresidenti i Zyrës Federale Kriminale Gjermane. Peter Henzler u prit në një takim nga Ministri Xhafaj. Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe BKA-së, sidomos përsa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me projektet e asistencës ndaj Policisë Kriminale. Ministri Xhafaj vlerësoi vizitën e delegacionit të lartë të BKA-së gjermane. “Bashkëpunimi deri më sot ka qenë shumë i mirë dhe jemi shumë të interesuar që të thellohet e konsolidohet akoma më tej”, tha ai. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, zv.Presidenti i BKA-së, Henzler vlerësoi planin e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe e cilësoi si një strategji që e kanë pak vende, në rajon apo më gjerë. Ai theksoi se zbatimi i këtij plani është një shans i mirë për të vijuar bashkëpunimin në fusha me interes, si për Gjermaninë, ashtu edhe për Shqipërinë. “Ne, kemi një kundërshtar të përbashkët (duke iu referuar grupeve kriminale), ndaj edhe qasja jonë në luftën kundër tij duhet të jetë e përbashkët dhe e koordinuar”, tha ai. Në këtë kontekst, ai premtoi mbështetje të BKA në reformimin e Policisë Kriminale shqiptare dhe gjithashtu garantoi mbështetjen në realizimin e trajnimeve dhe kurseve afatshkurtra për trupën e Policisë.

Numri dy i BKA gjermane e cilësoi bashkëpunimin mes 2 policive, gjatë operacionit “Antiskifter”, si një model që duhet të ndiqet dhe shtrihet më tej. Ministri Xhafaj, parashtroi disa fusha konkrete asistence dhe bashkëpunimi, duke veçuar hetimet e përbashkëta dhe të njëkohshme. Ai u shpreh optimist për ndihmën e Gjermanisë, i bindur se bashkëpunim mes dy vendeve do të vijojë të jetë i frytshëm edhe në ardhmen. Në vijim të qëndrimit në Tiranë, Henzler dhe ekipi i tij do të zhvillojë një vizitë në Task Forcën Qendrore dhe do të pritet në takim të veçantë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here