Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Duka i ftuar në “Top Story” ka zbuluar sesi u kërcënuan deputetët opozitarë që të votonin në favor të reformës në Drejtësi .
Duka fjalën e tij e ka shoqëruar me publikimin e sms-së që Donald Lu i dërgoi.
“I nderuar zoti Deputet! Ne ju presim nesër në selinë e ambasadës deri në ora 12 00 për t i’u informuar për pasojat që do të keni nëse nuk votoni pro reformës në drejtësi. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin, Donald Lu!”, shkruhej në sms.
Përveç tij këtë sms e morën deputetët Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Fatmir Mediut dhe disa të tjerë.
“Mua më ka ardhur një sms nga Ambasada Amerikane. Mu personalisht nuk më bëri përshtypje negative, sepse më ftuan pa temë. Shkova, takova dy punonjës të ambasadës, një takim kortezie me ambasadorin, shumë shkurt dhe ata dy punonjësit më thanë se duhet të votoni Reformën në Drejtësi sepse është reformë shumë shumë e rëndësishme për vendin tuaj, Gjë të cilën unë nuk kisha shumë nevojë, sepse unë vetë isha përgatitur që reforma në Drejtësi duhet të kalonte”, deklaroi Duka.