Japonia ka reaguar ashpër ndaj Kinës pas komenteve kërcënuese të Konsullit të Përgjithshëm kinez në Osaka, Xue Jian, i cili në një postim në platformën X tha se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i presim asaj kokën e ndyrë” duke iu referuar kryeministres japoneze Sanae Takaichi, pas deklaratave të saj se Japonia mund të ndërmarrë veprime ushtarake nëse Kina sulmon Tajvanin. Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit japonez, Minoru Kihara, e cilësoi këtë një deklaratë “shumë të papërshtatshme” dhe kërkoi që Pekini të marrë masa ndaj diplomatit. Edhe ambasadori amerikan në Tokio, George Glass, e dënoi ashpër komentin, duke thënë se ishte “një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj udhëheqjes japoneze dhe popullit të saj”.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, justifikoi reagimin e konsullit si përgjigje ndaj “deklaratave të paligjshme dhe të rrezikshme” të Takaichi-t, duke i kërkuar Japonisë të reflektojë mbi “përgjegjësitë e saj historike”. Tensionet erdhën menjëherë pasi Takaichi, kryeministrja e parë femër e Japonisë dhe një konservatore e linjës së ashpër, tha në parlament se një sulm ndaj Tajvanit mund të përbëjë një “situatë që kërcënon mbijetesën e Japonisë”, duke i hapur rrugë ligjore ndërhyrjes ushtarake edhe pa një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendit. Deklarata shënon një ndryshim të qartë në tonin e politikës japoneze ndaj Kinës, pasi kryeministrat e mëparshëm kanë shmangur përmendjen e Tajvanit në këtë kontekst. Grindja diplomatike vjen më pak se një muaj pasi Takaichi mori detyrën dhe disa ditë pasi zemëroi Pekinin me një foto ku shihej në takim me një përfaqësues tajvanez gjatë një samiti në Seul, ku u takua gjithashtu me Presidentin kinez Xi Jinping.









































