Drejtuesit e mjeteve edhe pse shpesh herë janë gjobitur për parkime të gabuara, nuk janë sensibilizuar. Së fundmi, Policia Rrugore e Tiranës ka nisur spostimin e mjeteve që parkojnë në korsitë e dedikuara për autobusë e taksi, në korsitë e emergjencës, tek vizat e bardha, apo edhe në vende të tjera që bllokojnë qarkullimin rrugor.
Gerhard Baka, specialisti i qarkullimit rrugor shpjegon se përveç gjobës për parkim të gabuar, qytetari duhet të paguajë ekstra për shërbimin e karrotrecit, si dhe çdo gjobë apo detyrim tjetër të prapambetur.
Kjo nismë nga policia u ndërmor për shkak të ankesave të shumta që ishin bërë në kryeqytet për drejtuesit e mjeteve që parkojnë në mënyrë të gabuar.
Kjo masë nuk do të aplikohet me ata drejtues që ndalojnë mjetin për pak sekonda me bllokazh në akse të tjera rrugore. Çdo qytetar sinjalizohet për spostimin e mjetit të tij me karrotrec menjëherë nëpërmjet portalit e-albania.