Rivitalizimi i aseteve shtetërore, Rama: Po ia lëmë në dorë publikut përmes FSHZH-së

0
39

Kryeministri Edi Rama solli dje në vëmendje rolin që po merr Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke u transformuar nga vetëm konsumator i buxhetit në funksion të investimeve, në administrator të projekteve zhvillimore. Kryeministri solli si shembull projektin më të ri në Bulqizë, atë të Parkut Tematik Retro “Divizioni”, ku FSHZH së bashku me banorët e zonës do të administrojnë strukturën hoteliere, duke gjeneruar të ardhura.

“Jam shumë i kënaqur që ky projekt po merr jetë, edhe për faktin se është një tjetër aset që i ka shpëtuar kthetrave të kohërave të kaluara, ku shumë asete të kësaj natyre janë lënë në duar të paafta, të papërgjegjshme apo të paidentifikueshme tanimë për shkak të atyre lloj privatizimeve. Ne i shohim sot e gjithë ditën kur ecim në rrugët e Shqipërisë dhe për një sërë prej tyre ne si qeveri e kemi të pamundur të ndërhyjmë, për shkak të letrave”, tha Rama. Në këtë drejtim, Rama u ndal te puna e e bërë për ta transformuar FSHZH-në jo vetëm në konsumator të buxhetit në funksion të investimeve, por edhe në administrator të projekteve dhe të produkteve.

“Sot FSHZH ka një sërë asetesh që i menaxhon duke vënë në punë shumë njerëz nga zonat që nga lart fare në grykën e Valbonës, deri në Korçë. Ne do të vazhdojmë ta stimulojmë këtë qasje pa i privatizuar këto asete, por duke ia lënë publikut nëpërmjet FSHZH-së”, tha Rama. Kjo sipas tij, bën të mundur që FSHZH të fuqizohet më shumë financiarisht për të investuar më shumë dhe për të vazhduar të krijojë modele të tilla zhvillimi. Po ashtu, Rama theksoi se po hyjmë në një fazë të re edhe të administrimit të pronave të ushtrisë. “Për këtë arsye edhe Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për zhvillimin e këtyre pronave pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, e Ministrisë së Mbrojtjes, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme. Por mbi të gjitha duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që vazhdojnë edhe trajtohen nganjëherë si vendndodhje ushtarake, ku nuk ka këmbë ushtari, në një burim të ardhurash për ekonomitë e zonave, për turizmin në radhë të parë por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, u shpreh Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here