Adriatik BALLA
Përfaqësuesja do të luajë ndeshjen me Çekinë në transfertë më 11 tetor dhe atë ndaj Gjeorgjisë po në transfertë më 14 tetor. Janë dy ndeshje të vështira që kanë efekt vendimtar për fatet e renditjes në grup në kuadër të Ligës së Kombeve. Padyshim që kuqezinjtë kanë ambicie për të marrë maksimumin në këto përballje, por të gjithë, përfshi trajnerin Silvinjo dhe vetë lojtarët, e dinë që kjo do të jetë e vështirë. Gjithsesi, grupi duket i angazhuar dhe trajneri Silvinjo me moral të lartë, ku të gjithë po ndihmojnë njëri-tjetrin që t’i kompletojnë si duhet këto dy takime, me dëshirën për të marrë më të mirën në fushën e lojës dhe për të qenë në garë për objektivat madhorë në këtë edicion të ligës.
Stërvitja e djeshme dhe problemet muskulore
Kombëtarja kuqezi zhvilloi dje pasdite seancën e radhës stërvitore, sipas kalendarit të parashikuar nga stafi teknik. Stërvitja u krye në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. Departamenti i Komunikimi në FSHF bën me dije se me grupin janë bashkuar edhe Nedim Bajrami, Arbër Hoxha e Qazim Laçi, ndërsa Kristjan Asllani e Myrto Uzuni kanë probleme muskulore dhe u stërvitën të diferencuar. Të dy lojtarët janë në monitorimin e stafit mjekësor të Kombëtares dhe pritet që nesër të bashkohen me grupin. Përsa i përket pjesës tjetër të grupit, të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe morën ngarkesën e plotë. Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike. Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”.
Taktika
Trajneri Silvinjo nuk ka dhënë ndonjë shenjë në planin taktik se si do të luajë në transfertën çeke, por dukshëm ai po përgatit lojtarët në forma të ndryshme për të pasur mundësinë e përzgjedhjes në momentin e fundit. Natyrisht, brenda grupit e kuptojnë se çfarë ai kërkon. E sigurt është se në kushtet kur Broja dhe Manaj mungojnë, sulmi do të udhëhiqet nga Daku, si pykë, por me forca të shumta në mesfushë dhe në mbrojtje, pasi trajneri do të përpiqet të marrë rezultat pozitiv, pra nuk e dëshiron humbjen. Gjithçka mbetet e hapur dhe sa i takon taktikës mund të pritet edhe ndonjë surprizë në rreshtim.
Emini është gati të zgjedhë Shqipërinë, ndjek shembullin e Jasir Asanit
Sefer Emini është futbollisti i ri që ka shënjestruar FSHF, sipas asaj që mëson “Top Channel”. Mesfushori 24-vjeçar që ka lindur në Shkup luan në Superligën daneze me Sonderjyske dhe deri më tani është ndër më të dalluarit në kampionat. Ai ka tërhequr edhe vëmendjen e Federatës së Maqedonisë së Veriut, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Emini është një lojtar që bën mirë rolin e numrit “6” para mbrojtjes, por edhe numrin “8”. Shpesh e krahasojnë me Ramadanin për nga cilësitë, i cili gjithashtu ka luajtur në Danimarkë. Emini ka grintë dhe është luftarak në fushë, ndërsa vlerësohet edhe për pasimin e mirë dhe vizionin për lojën. Deri tani ai ka luajtur 5 ndeshje me kombëtaret e moshave (U-20 dhe U-21) të Maqedonisë së Veriut, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje me kombëtaren e madhe dhe ky mund të jetë një avantazh për FSHF-në, nëse lojtari thotë “po”.