Qeveria “zgjidh qesen”, akordon 400 milionë dollarë për rritje pagash për policët, punonjësit e Gardës, ushtarakët, mësuesit, mjekët e infermierët

0
26

Punonjësit në shtet do të përfitojnë rritje page. Lajmin e ka bërë ditën e djeshme me dije ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, zbuloi se nga data 1 korrik do të ketë rritje të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas tij, në buxhetin e shtetit të vitit 2024 është parashikuar një fond prej 400 milionë dollarësh për punonjësit e Policisë, por edhe të sektorëve të tjerë jetikë, siç është arsimi, shëndetësia, etj. “Sa i përket pagave, me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave po vazhdojmë të kemi një diskutim intensiv për të shkuar te varianti përfundimtar. Synojmë që në 1 korrik të realizojmë një pritshmëri shumë-vjeçare të punonjësve të policisë, të kemi një rritje të fortë të pagave, e cila vjen për shkak të mirëmenaxhimit financiar. Siç e dini, në buxhetin e shtetit 2024 është parashikuar një fond prej gati 400 milionë dollarë i cili është aty, jo vetëm për punonjësit e policisë, që të jem i qartë, ai fond është edhe për punonjësit e sektorëve të tjerë jetikë si arsimi, shëndetësia, FA, por natyrshëm Policia e Shtetit meriton këtë vlerësim nga ana e qeverisë sonë, duke pasur parasysh sfidat e mëdha që ka Policia e Shtetit edhe gjatë këtij viti, ku ju e dini që fokusi kryesor është mirëmenaxhimi i sezonit turistik. Ky është një vit ku presim një rritje tjetër historike të numrit të vizitorëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar, por edhe të përgjegjësive që ka Policia e Shtetit lidhur me sigurinë publike në çdo komunitet të vendit. Gjej rastin të përshëndes aksionin më të fundit të DVP Tiranë, të cilët në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla dhe garantimit të sigurisë në komunitet, vijojnë punë e tyre intensive kundër fenomeneve të ndryshme që shqetësojnë qytetarët sikurse është fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike, ai i armëmbajtjes pa leje e problematika të tjera. Unë jam shpresëplotë që punonjësit e Policisë së Shtetit, në 1 korrik, lajmin e shumëpritur do ta kenë të realizuar tashmë, pa dyshim edhe Garda e Republikës”, deklaroi ministri Balla.

Detajet

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror për tremujorin e fundit të vitit 2023 u regjistrua në 87,864 lekë, synimi i qeverisë është që me këtë rritje, paga mesatare në shtet të arrijë në 900 euro në muaj. Por cilat janë kategoritë që do të përfitojnë ndryshim në pagë këtë vit? Sektori i shëndetësisë do të ketë rroga të reja. Kështu rritje të mëtejshme të pagave do të përfitojnë mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë. Po ashtu, rritje do të ketë edhe në sektorin e arsimit, ku do të përfitojnë kryesisht mësuesit në arsimin parauniversitar. Shtesë në pagë parashikohet edhe për forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qendrore. Këtë vit reforma do të shtrihet edhe tek punonjësit e pushtetit vendor, pagat e të cilëve janë në nivele të ulëta në raport me institucionet qendrore. Sa i takon masës së shtesës, në buxhetin e vitit 2024, për afro 36 mijë punonjës në arsimor të Sistemit Arsimor Parauniversitar, parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto. Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, përfitojnë rritje nga 26-34% të pagës bruto; Rreth 22 500 punonjës të sistemit me Grada parashikohet të përfitojnë rritje të pagës për gradë me mesatarisht 30% për vitin 2024. Në total, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë Euro. Reforma e pagave e nisur dy vite më parë synon të rrisë konkurrencën në tregun e punës, duke nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here