Familjarët e një politikani të lartë kanë dalë pronarë të mëdhenj tokash në Tiranë, po hetohet për pastrim të produkteve të veprës penale

0
25

Profesori i njohur Ervin Karamuço thotë se hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për një politikan shumë të lartë në Shqipëri kanë marrë një tjetër rrjedhë. Në një reagim për gazetën “SOT”, Z.Karamuço tregon se zyrtari i lartë ka përdorur familjarët e tij për të pastruar pasurinë e tij. Ai thotë se ngjarja ka marrë një tjetër rrjedhë dhe arrestimi është shtyrë, pasi po mblidhen prova të reja. “Nga hetimet rezulton se familjarë të lidhur me politikanë të lartë, rezulton latifondistë të dokumenteve e kartelave pronësie pafund në emrin e tyre me transaksione që kanë dashur të pastrojnë produktet e veprës penale. Kjo do të sjellë shumë zhvillime të reja në hetimet mbi këto politikanë.  Për shkak të fluksit të dokumenteve që po vijnë nga institucionet e tatimeve e hipotekave, komplikohet gjëja për të përfunduar sa më shpejtë hetimet pasi po mblidhen të tjera prova”, tha Karamuço.

Detajet nga hetimet

Po ashtu Karamuço tregoi se SPAK ka kontrolluar banesat e dy personazheve të njohur të ekraneve. Ai zbuloi se atyre u janë sekuestruar telefona dhe pajisje të tjera komunikimi. Hetimet intensive ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të lartë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me sa duket kanë çuar hetuesit edhe në shtëpinë e dy personazheve të përmendur mbrëmë nga Ervin Karamuço. “Meqë jemi tek korrupsioni, aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i madh në disa banesa në Tiranë nga ana e SPAK-ut. Dy prej tyre i përkasin njerëzve që ne i njohim në ekranet tona. Njërit prej tyre dje në njërën prej shtëpive i janë bllokuar celularë dhe pajisje të tjera të komunikimit”, tha fillimisht i pyetur më tej nga Grida Duma: “Si i njohim në ekranet tona, në çfarë kuptimi?”

Edhe analistë të lidhur me krimin?

Karamuço u shpreh se ka edhe persona të tretë të lidhur me politikën që bëjnë pastrim të parave, duke lënë të nënkuptohet për analistët. “Kush të troket te dera dhe të thotë ma jep mua këtë se më duhet mua, kur gjithë populli tjetër mban radhën, çoje në prokurori. Dhe nuk kam parë ndonjë nga këta të tjerët ta përgënjeshtrojë. Se me sa duket ky ia ka dhe ato, kush ka hyrë, me çfarë kanë aplikuar. Boll më me këta zotërinjtë. Kishte shkruar njëri një shkrim të madh sot dhe na zinte në gojë të gjithëve, që këta parashikojnë fallxhore etj, etj. Kur më vijnë skedat mua, se ne kemi një shkollë verore për pastrimin e parave se e kemi me krimin e organizuar, por dhe me politikën dhe me persona të tretë të lidhur me politikën siç janë edhe këta, 17 rroga ai, tre vila, më bënte mua sot moral publik”, tha ai.

Goditje në polici

Nga ana tjetër, profesori ka dhënë detaje dhe në operacionin anti-drogë “Tempulli 3” me 25 të arrestuar, ku kishte edhe policë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Karamuço u shpreh se grupe brenda policisë, kryesisht të patrullave të përgjithshme dhe “Shqiponjat”, janë përfshirë. “Pas metamorfozës 1 dhe 2, sigurisht është ndërruar krahu i punës, kanë ardhur punëtorë të rinj, janë rekrutuar rishtazi që pas muajit nëntor, shumica e tyre. Prapë ne kemi punonjës të Policisë së Shtetit të përfshirë. Këta kanë pasur rolin e garantit dhe të orientimit. Aktualisht që ne flasim,  ka një hetim jo vetëm për grupe të përziera, por edhe për grupe të mirëfillta brenda Policisë së Shtetit, me policë të patrullave të përgjithshme dhe atyre “Shqiponjave”, që merren me trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike. Kjo po hetohet aktualisht, do jetë fitore shumë e madhe, përveçse pastrojme perimetrin dhe territorin e shkollave, pastrojmë edhe perimetrin e Policisë së Shtetit. Ne kemi një sfidë disa vite, që Malësia e Krujës vazhdon ende me kultivimin e lëndëve narkotike, kanabis. Ende Policia e qarkut Durrës, që mbulon edhe Krujën, nuk e ka displinuar këtë lloj zone për të mos pasur më kultivim të lëndës narkotike. Ne kemi filluar procesin e vëzhgimit ajror me dronët Bayraktar, por ne e kemi lançuar prej disa ditësh këtë, sikur i kemi thënë trafikantëve merrini fshini çfarë keni. Duhet të ishte diçka sekrete, e mirëmenduar. Kam qenë dëshmitar okular, janë arrestuar dy persona në zgjatimin e bulevardit “Zogu I”. Janë gjetur edhe kokainë. Lufta e madhe është për drogërat sintetike, është një tjetër problem. Në këto makina janë gjetur edhe lëndë të tjera sinotrope dhe sintetike. Apeloj për Policinë e Shtetit që këto operacione të jenë të kujdesshme”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here