Banka e Shqipërisë zbulon pse u shtrenjtuan apartamentet: 1/3 e banesave u blenë nga të huajt

0
64

Prej vitit 2017, shtrenjtimi i apartamenteve nuk ka ndalur, thuhet në një analizë të bërë mbi këtë treg nga Banka e Shqipërisë. “Çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur vrullshëm për rreth gjashtë vite radhazi, përpara dhe pas pandemisë”, thuhet në analizë. Ndërkohë vetëm përgjatë 4 viteve të fundit (2020, 2021, 2022, 2023) çmimet e banesave në vend janë rritur me afro 24.5%. Sipas analizës së bërë faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, janë blerjet e mëdha që po bëjnë shtetasit e huaj. Bazuar në raportet e bankës qendrore 1/3 e apartamenteve të shitura prej 2020-ës janë blerë nga të huaj, shumica shtetas jo rezidente në vendet e BE-së. Një pjesë e madhe e këtyre pronave përdoren për biznese, jepen me qira, ose përdoren për shtëpi pushimi, pasi më së shumti janë blerë në bregdet. Faktor tjetër që ka shtrenjtuar apartamentet thuhet në analizë është huaja bankare dhe normat e interesit. Duke qenë se ndërtuesit në shumë raste i drejtohen bankave për të marrë kredi në mënyrë që të bëjnë investimin, rritja e interesave ua ka shtuar kostot. Ndërkohë referuar të dhënave po të bankës rreth 50% e pronave janë blerë me kredi bankare. Ndikim jo të vogël sipas raportit po japin edhe kostot e shtuara të ndërtimit, si dhe rritja e pagave për punonjësit. “Ecuria e kaluar e çmimit të banesave dhe të ardhurat për frymë janë faktorët më të qenësishëm për shpjegimin e rritjes së vrullshme të çmimeve në vitet e fundit”, thuhet në analizë. Shtrenjtimi i apartamenteve që ka përfshirë gjithë Shqipërinë, kulmon tek ndërtimet e reja në Tiranë pasi arrin deri në 4000 euro metri në zonat përreth qendrës, ndërkohë që nuk ka prona me çmim poshtë 1000 euro metri. Ky trend sipas vrojtimeve të bankës nuk pritet të ndalët as gjatë këtij viti. Tregu Real-Estate është ndër më të preferuarit për investimet e huaja, pasi vetëm në 9-muaj të 2023-shit, u investuan në këtë sektor 222 mln euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here