Gjermania më zhgënjyese se kurrë, trajneri Nagelsman nën presion

0
63

Kur kanë mbetur më pak se shtatë muaj deri te fillimi i turneut, momenti përcaktues i humbjes së Gjermanisë 2:0 të martën nga Austria erdhi kur Leroi Sane u përjashtua me karton të kuq pasi shtyu një kundërshtar. Duke pasur parasysh se kjo ishte vetëm një ndeshje miqësore, ai incident duket se pasqyroi faktin se sa e mjerueshme dhe irrituese është bërë të luash për katër herë fituesen e Kupës së Botës, Gjermaninë. “Kartoni i kuq për Leroin Sane i përmbledh të gjitha. Frustrimin, zhgënjimin edhe në veten tonë”, tha kapiteni Ilkaj Gundogan, duke shtuar se ka mungesë të “energjisë pozitive” në ekip. Përzgjedhësi Julian Nagelsman – i cili tani ka një fitore nga katër ndeshjet e tij të para – zgjodhi një formacion sulmues me tre lojtarë përpara dhe dy të tjerë, Kai Havertz dhe Julian Brandt, si ndihmë nga krahët. Por, as kjo nuk funksionoi te Gjermania. Gjermania nuk krijoi pothuajse asnjë rast në pjesën e parë dhe kishte vështirësi t’i mbante kundërsulmet e udhëhequra nga Michael Gregoritsch, një sulmues austriak, i cili zakonisht është në stol në klubin e tij gjerman Freiburg, që është në mes të tabelës. Me fillimin e vitit 2023 kishte një sugjerim që eliminimi në fazën e grupeve të Kupës së Botës të vitit të kaluar mund të shpjegohej si një ngjarje e hershme e shkaktuar nga një përzierje e pafat faktorësh – polemika politike, kushte të panjohura, nënvlerësimi i Japonisë në humbjen e saj fillestare. Në vend të kësaj, viti 2023 do të përfundojë me Gjermaninë që ka humbur gjashtë nga 11 ndeshjet që ka luajtur dhe ka fituar vetëm tri prej tyre. Nga skuadrat që mundën Gjermaninë – Belgjika, Polonia, Kolumbia, Japonia, Turqia dhe Austria – vetëm Belgjika renditet në top-10 në botë. Gjermania ka humbur ndeshje në shtëpi dhe jashtë, me Hansi Flik si trajner, me Nagelsmanin, me formacione lojtarësh të rinj dhe veteranë. Në skenat më të mëdha, rekordi i kombinuar i kësaj gjenerate nga tre turnetë e saj të fundit të mëdhenj që nga viti 2018 është tri fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. Flik bëri pak përparim duke u përpjekur të integronte lojtarë më të rinj, kështu që Nagelsman u punësua në shtator me një kontratë afatshkurtër dhe leje për të zgjedhur një ekip më të vjetër. Formacioni startues, i cili nuk arriti ta kryente punën kundër Austrisë, përfshinte pesë lojtarë mbi moshën 30 vjeç dhe vetëm një nën moshën 27 vjeç. Gjermania ka thirrur 45 lojtarë të ndryshëm vetëm këtë vit, por e vetmja fytyrë e re është sulmuesi i Borusia Dortmundit, Niklas Fuellkrug.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here