Xhuljano Skuka u bë shitja më e shtrenjtë nga kampionati shqiptar. Sulmuesi dibran u transferua te francezët e Metzit për 1.4 milionë euro, ndërsa 20% e kartonit mbeti në pronësi të Partizanit. Po si mundi ky lojtar “i panjohur” të shndërrohet në yllin e kampionatit shqiptar dhe të bëhej transferimi më i shtrenjtë i dalë nga Superiorja jonë? Rrugëtimi nis nga Dibra, origjina e djaloshit më pas kthimi në Shqipëri dhe bashkëngjitja Dinamos, një skuadër ku Skuka nuk la gjurmë. Por dikush do t’i jepte besim dhe ai ishte Olsi Rama, drejtor i Partizanit, i cili e afroi djaloshin fillimisht si një lojtar përforcues, por me bindjen se ai mund të bënte gjëra të mëdha. Dhe nuk u gabua. Në një rrëfim për ‘Supersport”. Olsi Rama zbulon të pathënat në lidhje me Skukën. “Kërkesa ime për Skukën ka nisur para dy vitesh. Mund të kem bërë katër takime me menaxherin e tij, Elton Marini. Kur morëm Skukën, pashë tek ai disa veti dhe cilësi të mira që mund t’i shërbenin Partizanit. Nuk e parashikoja që ecuria e tij të ishte e tillë, që ai të shënonte më shumë se 20 gola në një vit kalendarit. Është si ajo situata kur shpreson më të mirën dhe përgatitesh për më të keqen, por e ndieja se kisha marrë një lojtar që do të kontribuonte, por jo tek niveli që ai arriti. Skuka ishte një bast i humbur për Dinamon, por unë e kisha parë në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe dalloja shkëndijat që tregonte vlerat në fushë. Kur Skuka erdhi, i kam premtuar se do të trajtohet me respekt dhe ndershmëri e profesionalizëm. Ai është një nga lojtarët më të thjeshtë me të cilët kam pasur marrëdhënie, është një djalë pozitiv dhe jashtë fushe. Ekipi e priti krahëhapur dhe për pak ditë u bë pjesë e grupit. Atë që i kam premtuar, e ka marrë. Komunikimi me të ka qenë: puno lufto e luaj”, tha Rama.
Transferimi në Francë dhe porosia e Ramës për sulmuesin Skuka
Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli edhe rreth transferimit të Skukës tek Metzi në Francë, si dhe porositë që ka ai për lojtarin. Rama tregohet i sinqertë se besonte shumë te cilësitë e 24-vjeçarit, ai e pranon se askush nuk do ta kishte imagjinuar një transferim të tillë. “Bisedimet kanë nisur që para disa muajsh, me ekipe konkrete, por ishte edhe intuita e presidentit Demi me çfarë ai shikonte se ishte vlera e Skukës, sigurisht edhe insistimi i Shkumbin Qormemetit, që sollën oferta konkrete e që na çuan te një transferim i tillë efikas. Ka ende shumë punë për të bërë, duhet të vijojë të punojë, ka shumë punë përpara. Rruga nga Dibra në Tiranë është e shkurtër, nga Rinasi në Paris, shumë më e gjatë. Këtë diferencë ai duhet ta përballojë. Është rezultat i punës së tij dhe mbështetjes së ekipit që ai arriti që të shitet në këto shifra”, nënvizoi Rama. Largimi i Skukës krijon një gropë në skuadrën e Partizani, me dibranin që ishte dhe shënuesi më i mirë i skuadrës, por drejtori i Partizani ka besim se skuadra do të arrijë të realizojë objektivin titull. “Në këtë kampionat e kemi marrë një pjesë të fryteve të punës, por mund të bëjmë dhe më mirë. Është një shprehje që kampionët fitojnë ndeshjet, skuadra kampionatin. Kam shumë besim, pasi janë lojtarë të mirë dhe djem të mirë dhe besoj tek ata”, përfundoi Rama.