Ja strategjia e Berishës për protestën e 6 dhjetorit, protestuesit do nisin marshimin nga rrugicat e Tiranës, parashikohet thyerja e kordonit të policisë për të mësyrë drejt Samitit

0
237

Nesër kur Tirana do të presë takimin më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian të mbajtur ndonjëherë në Ballkan, ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë protestën e radhës. Burime për gazetën “Sot” zbardhën dhe strategjinë e kreut të “Foltores”, që nga nisja e marshimit nga rrugicat e Tiranës e deri tek skenari më kaotik, ai i thyerjes së kordonit të policisë ku protestuesit do të mësyjnë drejt Samitit. Edhe pse do të lërë një shije të hidhur të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, Berisha nuk tërhiqet. Ditët e fundit, ai tha se protesta do të jetë madhështore dhe gjithçka do të jetë në dorë të protestuesve. “Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve”, ka thënë Berisha.

Marshimi nis nga rrugicat e Tiranës

Bllokimi i të gjitha rrugëve kyçe që të çojnë tek “Bulevardi” ka bërë që Sali Berisha të ndryshojë strategji. Vetë kreu i Foltores tha se demokratët do të protestojnë në qytet, në shesh. Pra marshimi do të nisë nga rrugicat e Tiranës të cilat nuk do të bllokohen. Sipas Berishës, protestuesit janë “zotër në zona të tjera”. Nga ana tjetër, ai ka paralajmëruar se mund të ketë përplasje të forta me policinë, e cila do të jetë në gatishmëri për çdo të papritur. Berisha thotë se nëse policia është porositur të përballet me opozitën do të bëjë zgjedhje shumë të gabuar. “Nuk ka rrugë që mund të bllokohet përveç zonës se ku mblidhen që ne nuk kemi ndërmend, jemi më të interesuar se Edi Rama për sigurinë e lidershipit europian dhe mbarëvajtjen e samiti, përndryshe ne jemi kudo zotër të qytetit në zona të tjera, mjerë Rama dhe Çuçi dhe i them Ramës demokratët protestojnë në qytet, në shesh, por e dinë mirë që burimi i të zezave është në Surrel. Aty burojnë të zezat e këtij vendi, por prapë vendimi është për të protestuar në qytet. Policia nëse është e porositur që të përballet me opozitën bën zgjidhjen e gabuar, opozita nuk ka betejë që nuk fiton”, tha Berisha.

Nuk përjashtohen skenarë dhune

Pra nuk përjashtohet asnjë skenar dhune, përderisa Berisha shpesh ka deklaruar se vijueshmëria e protestës varet nga protestuesit. “Mesazhi im është mos revoltoni protestuesit, kaq është. Ata vijnë në të drejtat e tyre kushtetuese. Vijnë të provokuar në shkallën më të lartë nga një njeri që po ua dëbon fëmijët dhe njerëzit nga shtëpitë e tyre, po i vjedh dhe plaçkit çdo ditë. Kaq është mesazhi im. Asgjë s’mund të zvogëlojë dimensionet e protestës që do jetë nesër. Protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar. Sa t’i teket popullit opozitar. Ai është nesër sovrani i Shqipërisë”, tha Berisha.

Degjenerimi në dhunë

Por gazeta “SOT” ka mësuar nga burime shumë konfidenciale dhe skenarin më të tmerrshëm për vendin tonë. Demokratët e karikuar të Berishës mund të tentojnë të hyjnë me dhunë në ambientet ku do të mbahet konferenca e lartë. Madje, të njëjta burim i thanë gazetës se janë marrë të gjitha masat që më 6 dhjetor Tirana të shkojë në “tym e flakë”, ndërkohë që degët e “Foltores” kanë nisur tashmë “rekrutimin” e mercenarëve, përmes së cilëve synohet të shkaktohet kaos. Pra, ndryshe nga sa pretendon se protesta do jetë paqësore dhe ka si qëllim që t’iu tregojë evropianëve se edhe në Shqipëri protestohet kundër korrupsionit, krimit dhe keqqeverisjes, në prapaskenë po ndodh e kundërta, pasi militantët e “Rithemelimit” janë udhëzuar nga besnikë të Berishës që të jenë gati për çfarë do lloj situate.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here