Mediat në Ekuador reportazh për mafian shqiptare: Ekzekutime dhe arrestime, si po donimojnë tregun e drogës drejt Evropës

0
268

E përshtatshme për subjekt filmash. I tillë është aktiviteti i shqiptarëve në Amerikën Latine, që në pak vite, arritën të dominonin tregun e drogës dhe të fitonin territor ndaj mafias italiane. Këtu janë ndalur mediat ndërkombëtare, të cilat tregojnë se si ka ndodhur dominimi i shqiptarëve ndër vite. Zanafilla sipas tyre daton në vitin 2001, kur shqiptarët e parë filluan të mbërrinin në vendet e Amerikës Latine, kryesisht në Kolumbi.

Me kalimin e viteve, mafia e Ballkanit, veçanërisht ajo shqiptare filloi të fitonte terren duke marrë nën kontroll hyrjen e lëndëve narkotike në portet e ndryshme të Evropës.

Më pas, Ekuadori u bë një vend tërheqës për shkak të kontrollit të dobët të kufijve dhe mangësive të sistemit gjyqësor, por edhe ekonomisë që lejonte dollarin, dhe investimet e shumta, prej të cilave kryhet pastrimi i parave. Në 14 vitet e fundit emisarët e këtyre grupeve kanë shumëfishuar marrëveshjet për furnizimin me kokainë mes furnitorëve kolumbianë dhe mafiozëve të ndryshëm evropianë.

Prokurori i Guayaquilit César Peña, thekson se në 7 vitet e fundit ai ka hetuar një duzinë me të huaj duke përfshirë shqiptarë, shqiptarë të Kosovës, serbë, maqedonas dhe malazezë, pothuajse të gjithë për trafik droge. Për Ekuadorin, kontrolli i fluksit migrator nga Evropa Lindore është një sfidë më vete prandaj qeveria kërkon aleanca me vende të tjera, madje edhe me Kombet e Bashkuara.

“Ne jemi në procesin e anëtarësimit në programin ATS Global, i cili do të na lejojë të njohim profilin e rrezikut të udhëtarëve përpara se të mbërrijnë këtu”, gjenerali Fausto Olivo, nënsekretari kombëtar i migracionit.

Këto organizata kriminale të trafikut të drogës janë shtrirë në mbarë botën. Ato operojnë kryesisht në rajonin e Ballkanit, dhe veçanërisht në Shqipëri. Shefat e këtyre organizatave dërgojnë nga Shqipëria për në Amerikën e Jugut njerëzit e tyre për të negociuar mbi dërgesat e drogës që vijnë nga Bolivia, Peruja, Ekuadori dhe Kolumbia. Disa prej tyre qëndrojnë në Ekuador si pengje të karteleve që kanë shitur drogën. Kjo ka prodhuar jo pak vrasje vitet e fundit dhe gjatë vitit 2021 u sekuestruan 210 tonë drogë.

“Në momentin që dërgesa nuk arrin në destinacionin e saj, ndodh një vrasje”, thotë gazetarja Klodiana Lala. Sipas saj, në Ekuador jetojnë rreth 3000 shqiptarë dhe shumë prej tyre janë përfshirë në trafikun e drogës. Gazetarja shprehet se asnjë nga të vrarët nuk ka rezultuar të jetë koka e grupit, pasi shumica prej tyre fshihen në Dubai.

KUSH JANË SHQIPTARËT E ARRESTUAR DHE ATA QË MBETËN TË VRARË

Një ndër shqiptarët e parë që lakohet në media, e që mbërriti në Ekuador ishte Arbër Çekaj, tashmë i burgosur. Në vitin 2009 ai themeloi firmën e eksportit të bananeve në Ekuador, brenda së cilës fshihte sasi të mëdha droge.
Në vitin 2015, ndaj Arbër Çekajt u hap një hetim për trafik droge. Por pavarësisht procesit gjyqësor, ai vazhdonte të eksportonte çdo javë derisa në vitin 2018 u arrestua përfundimisht në Gjermani. Nga viti 2015 deri në vitin 2018, është verifikuar se ai ka eksportuar 3000 ton banane.

Më pas, në vitin 2011 ishte Adriatik Tresa ai që mbërriti në Ekuador. Tresa do të mund t’i mbijetonte botës së krimit për vetëm 9 vite pasi në nëntor të vitit 2020 ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në La Aurora të Ekuadorit. Autorët të veshur si efektivë policie hyn lehtësisht në rezidencën e Tresës dhe e qëlluan atë për vdekje. Sapo mbërriti në Ekuador Tresa u bë pronar i një zdrukthtarie dhe një farmacie. Ai u pikas nga autoritetet ekuadoriane dhe emri i tij u përmend në lidhje me vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo në vitin 2013.
Që nga viti 2013, Tresa hetohej për pastrim parash, armë, drogë, madje edhe për vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.
Ai u procedua për pastrim parash, pasi së bashku me një shtetas tjetër iu gjetën 39.100 dollarë dhe 72.500 euro cash. Por një vit më pas gjykata ekuadoriane e shpalli të pafajshëm. Megjithatë, Tresa nuk do të jetonte gjatë pasi u ekzekutua në nëntor të vitit 2020.

Në maj të vitit 2017, një tjetër shqiptar Ilir Hidri, u qëllua për vdekje në periferi të Guayaquilit. Hidri u ekzekutua nga persona të armatosur hipur mbi motoçikleta.
Po ashtu një tjetër shqiptar, tanimë nga Kosova, Remzi Azemi i cili ishte nipi i Hidrit – u plagos kur një person i armatosur e qëlloi atë teksa hapi xhamin e makinës së tij të blinduar për pirë një cigare. Adriatik Tresa u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Ilir Hidrit pasi iu gjet edhe një armë në shtëpinë e tij, por gjykata e shpalli të pafajshëm. Më pas Tresa u ekzekutua në nëtor të 2020-s.

Vrasja e malazezit Fadil Kaçaniç dhe gruas së tij, ekuadorianes, Elsa G

Vrasja e tij ishte e ngjashme me atë të vitit 2018, kur u ekzekutua malazezi Fadil Kaçaniç bashkë me gruan e tij ekuadoriane Elsa G., e cila punonte në aeroport. Fadil dhe Elsa G. u rrëmbyen ndërsa ishin duke fjetur dhe u vranë në mars 2018, në Guayaquil, shkruan El Universo. Çifti u gjetën të vrarë në një nga rrugët që të çonin në bregdetit. Në shtëpinë e tyre mbërritën persona me veshje policie, të cilët i rrëmbyen dhe më pas i dërguan drejt bregdetit duke i qëlluar në kokë. Kaçaniç nuk ushtronte asnjë aktivitet ekonomik në Ekuador. Por ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës pasi në vitin 2010, atij iu gjetën 18 kilogramë kokainë në bagazhin e tij, në aeroportin e Guayaquilit me destinacion Amsterdamin. Ai u dënua me 12 vite burg për t’u vrarë më pas në 2018.

Bandat shqiptare të trafikut të drogës kanë bërë përparime të mëdha në Ekuador përgjatë viteve të fundit. Kjo u evidentua edhe me arrestimin e Dritan Rexhepit në vitin 2014, shqiptarit të akuzuar për trafik droge dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u arrestua në Ekuador pasi u kap me 278 kilogramë kokainë.
Rexhepi u dënua me 13 vjet dhe po vuan dënimin në burgun e Latacungas, nga ku, sipas Interpolit, shqiptari operon me komunikime të koduara për të koordinuar nisjen e ngarkesave të mëdha të drogës deri në çmontimin e organizatës së tij në Shqipëri në shtator të vitit 2020, kur u arrestuan më shumë se 100 persona.
Vrasja e serbit Sasha Spasiç
Një tjetër ngjarje që vijon të jetë nën hetim është edhe vrasja e 56 vjeçarit serb Sasha Spasiç. Ai u ekzekutua në korrik të vitit 2020 në një qendër tregtare Samborondón.

Atë e qëlloi një vrasës me pagesë teksa ishte duke pirë kafe me familjen e tij.

Rasti më i fundit është ai i Ergys Dashit. Dashi u qëllua më 22 janar të këtij viti në një restorant në veri të Guayaquilit. Autori qëlloi në kokë Ergys Dashin duke e lënë të vdekur në vend, teksa kishte hyrë me një buqetë me lule në restorantin plot me klientë.
Dashi ishte një nga drejtuesit e një bande shqiptare të trafikut të drogës. Ai ishte me precedent penalë mbi trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje edhe pse në Ekuador ai nuk kishte asnjë procedim penal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here