Jorgaq Tushe: Teatri po largohet nga qëllimi, po shohim edhe teatër, gjimnastikë e balet, artistët të ruajnë identitetin që i takon

0
83

Teatri duhet të ruajë identitetin e tij. Kështu shprehet regjisori dh aktori Jorgaq Tushe, i cili prej dekadash zhvillon aktivitetin e tij me teatrin në vendin tonë. Në intervistën për “SOT”, aktori Jorgaq Tushe flet për problemet që has teatri dhe zhvillimi i tij, si dhe ndalet dhe te puna me të talentet e reja. Për regjisorin Jorgaq Tushe, kinemaja është sintezë e arteve të tjera dhe jo teatri. Sipas tij, ka artistë që sot që nuk po tregojnë vëmendje për të ruajtur autenticitetin e teatrit, por po e ngatërrojnë. Regjisor dhe aktor i njohur Jorgaq Tushe thotë se në emër të eksperimenteve po shikojmë dhe cirk e balet, por nuk është teatër. Në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Teatrit, aktori dhe regjisori thotë se edhe demokracia po ti bësh një përkthim është dhe art e kulturë. Jorgaq Tushe është aktor, regjisor. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, dega dramatike, më 1972. Më pas kreu studimet plotësuese për regji teatri në Institutin e Lartë të Arteve dhe të Kinematografisë në Bukuresht, Rumani. Punoi si regjisor në teatrin “Petro Marko” të Vlorës deri në fillim të viteve ‘90 kur emigroi, në Greqi. Aktor me prirje komike, Jorgaq Tushe realizoi disa figura interesante në skenën e këtij teatri, por krijoji më shumë hapësirë për vete kryesisht si regjisor. Jorgaq Tushe me teatrin dhe estradën në Vlorë ka sjellë për publikun mbi 50 premiera që mbajnë emrin e tij si regjisor, por nuk janë të pakta dhe rolet. Në kinematografi ka interpretuar disa filma, mes tyre përmendim “Liria a vdekje” (Taxhim Ymeri) 1979, “Plumba perandori” (avokati) 1980, “Skëterr 43” (mjeku) 1980, “Agimet e stinës së madhe” (Rezbati) 1981, “Koha nuk pret” (oficeri anglez) 1984, “Nata e parë e lirisë” (Nazifi) 1984, “Delegacioni” ( berberi) 2018.

-Dita Botërore e Teatrit shënohet çdo vit më 27 mars. Si aktor dhe regjisor, çfarë mund të na thoni për teatrin?

Dita Botërore e Teatrit para viteve 1990 në vendin tonë nuk festohej. Ne filluam ta festojmë këtë ditë të shënuar vitet e fundit. Unë si aktor dhe regjisor një mesazh kisha për Ditën Botërore të Teatrit. Pyes çfarë është demokracia? Edhe teatri vetë është një demokraci. Në teatër mund të kesh ndjenjat, idetë dhe mesazhet e reja. Demokracia vetë po ti bësh një përkthim është teatër, është art, është kulturë.

-Në këto vite, çfarë ka pasur teatri?

Teatri pas viteve ‘90 tek ne mori një shpërthim. Në vitet pas ’90 zhvillimi i teatrit është i mirë. Talentet e reja kanë dalë, regjisorët dhe aktorët kanë pasur mundësi të shprehin. Por gjithmonë teatri ka qenë në atë hijen e diktaturës. Akoma po ti vësh re shihen pengesa të vogla në koncpetim. Por teatri duke filluar vitet e fundit me këtë ndjenjën e lirisë për të thënë gjithçka dhe shprehur gjithçka, më duket sikur është larguar nga teatri i vërtetë.

-Kur shpreheni se iu duket se është larguar nga teatri i vërtetë, çfarë keni parasysh?

Teatri më duket sikur është larguar nga teatri i vërtetë, sepse shikoj dhe teatër, gjimnastikë, balet dhe cirk. Pra i shikoj të gjitha artet e tjera në teatër. Por vetëm kinemaja është arti që është sintezë e këtyre arteve të teatrit, të muzikës, pikturës, skulpturës, etj. Por kohët e fundit është tendenca te teatri, një gjë që e vura re dhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”, që u zhvillua online. Teatrin duan ta bëjnë sintezë të arteve të tjera, por këtë funksion kur u shpik e kishte kinemaja sintezë e gjithë arteve të tjera dhe jo teatri. Por teatri nuk është shpikje e re, ka ekzistuar që para 3 mijë vjetësh dhe duhet ta ruajë autenticitetin e tij. Teatri duhet të ruajë identitetin e tij. Teatri ka një qëllim, teatri i flet direkt spektatorit në sy me ndjenjë dhe me emocion. Ky është teatri i vërtetë. Unë e kuptoj që kjo që po bëhet është në emër të eksperimenteve, por ju bëj thirrje artistëve që ta ruajnë identitetin e teatrit, sepse po shikoj që po ngatërrohet. Me këtë që po bëhet ata po i heqin identitetin e vërtetë teatrit, funksionin e vërtetë të tij.

-Si e patë Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On” që u zhvillua online, çfarë solli sipas jush?

Unë pashë prurje të reja, regjisorë të rinj dhe të njohur, që kishte një punë cilësore. Vërejtje për festivalin me shfaqjet është ajo që përmenda pak më lart, që e ngatërrojnë teatrin dhe kanë filluar ta bëjnë tani sintezë të arteve të tjera. Nuk është sintezë e arteve të tjera, këtë doja të theksoja. Një tjetër vërejtje për festivalin online, mendoj se do të ishte më mirë që të ishte në ekranin e RTSH. Është televizion publik kombëtar dhe duhet ta shfaqte RTSH festivalin. Nxorëm sytë në telefonat celularë duke parë shfaqjet, por nuk shihet kështu. Festivali të ishte nëpërmjet ekranit të RTSH, që e ka dhe për detyrë sepse mbahet me taksat tona. Por me të gjithë këto probleme dhe dallavere politike që ne kemi në vend edhe teatri është lënë pas dore. Kjo ka ndodhur, por unë shikoj tek të rinjtë që dëshira për punë, krijim, angazhim nuk ka munguar. Kjo është gjëja më e mirë që u vu re dhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”. Megjithatë në këto kushte që ne jemi unë do ta quaja një sukses organizimin e festivalit.

-Në aktivitetin tuaj si regjisor vitet e fundit jeni fokusuar dhe te puna me të rinjtë. Keni realizuar dhe shfaqje teatrore me ata, si ka qenë kjo pjesë e aktivitetit tuaj artistik deri tani?

Unë kam punuar dhe vazhdimisht punoj me artistët e rinj, dhe vitin e kaluar çova në shkollë 4 artistë të rinj nga Vlora, që i përgatita vetë. I mësova dhe ata tani janë në shkollën e lartë në degën e dramës, regjisurës apo dhe skenografisë skenike. Shfaqja e fundit që ne zhvilluam ishte ajo me titull “Lojë dashurie”, që ishte shumë e bukur, ku i angazhova të rinjtë dhe më pas i përgatita dhe për në shkollë. Në Vlorë është krijuar “Art Plus Akademi” ku përgatisim talentet e reja për ti çuar në shkollë. Unë ndjehem shumë mirë me këtë punë që po bëj me të rinjtë, por dhe kërkesat janë të mëdha. Ne duke qenë mbyllur nga pandemia me teatrin, kemi punuar me “Art Plus Akademi” në Vlorë me të rinjtë, që po bëjmë një punë të madhe. Për këtë falenderoj shumë presidentin e kësaj akademie që është një biznesmen, që mbështet kaq shumë artin. Ai është një njeri i rrallë. Unë sapo të përmirësohet kjo gjendje do të filloj punën me një vepër të re me të rinjtë. Vepra teatrore titullohet “Dua divorc” shkruar nga një autor grek, që duam ta vëmë në skenë. Divorci është një plagë e shoqërisë shqiptare edhe pse kalon pa u vënë re.

-A mendoni se gjatë kësaj kohe mund të gjendeshin mënyra, që artistët të angazhoheshin dhe me shfaqje në mjedise jashtë?

Nëse kjo do të ishte bërë në parë do të ishte shumë mirë. Këtë tendencë e pati regjisori Kiço Londo ish drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivigli”, që erdhi në Vlorë me shfaqjen teatrore “Jul Çezari” dhe u dha për publikun në ambient të hapur. Ne ishim në Vlorë dhe nuk bënim dot shfaqje të tilla teatrore. Londo arriti të jepte shfaqje dhe ishte gjë e mirë, por jo të jemi një mbyllje totale pa asgjë. Nëse ka mundësi duke zbatuar rregullat mund të bëheshin dhe shfaqje jashtë. Mund të organizohen variete, monodrama, etj. Kjo mund të bëhej kur ishin dhe mundësitë me rregullat që ishin vënë më parë, dhe pa rrezikuar asnjë.

-Dekada pranë artistëve të teatrit “Petro marko”. Si e shikoni trupën artistike?

Trupa artistike e teatrit të Vlorës është serioze. Meqë fola dhe për festivalin online, mendoj që trupa e Vlorës bëri vërtetë teatër, ndërsa te disa shfaqje të tjera unë pashë gjimnastikë apo dhe cirk. Trupa e Vlorës ka të mirën, që i qëndron besnik teatrit në kuptimin klasik të fjalës. Nuk ngatërrohet “gjoja eksperimente”siç bëjnë disa teatro të tjerë, por i qëndron besnike teatrit, e respekton dhe punon në këtë drejtim. Trupa artistike dhe regjisori është për tu përgëzuar për këtë, sepse ruan identitetin e teatrit, ndërsa trupat e tjera gjoja në emër të modernizimit, eksperimentit dalin nga teatri dhe sikur i shkelin ato rregulla dhe ligje, që janë të pashkelshme. Teatri është teatër, siç e thashë në fillim nuk është sintezë e arteve të tjera.

– Ju keni mbaruar Institutin e Lartë të Arteve më 1972. Më pas keni kryer studimet plotësuese për regji teatri në Institutin e Lartë të Arteve dhe të Kinematografisë në Bukuresht, Rumani. Nga viti që keni nisur aktivitetin me teatrin, në shfaqjet e ndryshme që janë vënë në skenë dekada më parë në teatrin tonë kë veçoni?

Në ato vite kanë qenë shfaqje të bukura. Përmend regjisorin Pirro Mani, që ka vënë në skenë shfaqje teatrore, që kanë mbetur emblematike si “Arturo Ui” dhe të tjera vepra shumë të bukura. Por dhe vepra të autorëve shqiptarë që u dhanë atë kohë, por u dënuan nga sistemi si “Ngjarje në fabrikë”e Fadil Paçramit ishin shfaqje, që kanë lënë gjurmë të thella te spektatori. Shfaqje emblematike që u vu në skenë para se të nisja studimet kujtoj dhe “Fisheku në pajë” e teatrit “Migjeni”, në Shkodër. Atë kohë çdo muaj nëntor zhvilloheshin festivale teatri dhe trupat artistike shkonin në Tiranë. Përmend teatrin e Vlorës, që ka marrë çmimin e tretë me dramën “Familja e peshkatarit”, që e vuri në skenën e teatrit të Vlorës Nazmi Bojaku. Në vitin ‘90 në teatrin e Vlorës kemi shfaqjen “Sinjali i kuq”, vepër e autorit të njohur Bashkim Kozeli, regjisor Pirro Sava. Para ’90 kemi dhe komedinë kryevepër “Pallati 176”, me të ndjerin aktorin Roland Trebicka. Publiku e do veprën shqiptare, por sot nuk vlerësohet sa duhet. Nuk mund të vlerësosh një vepër shqiptare, duke i dhënë një çmim dhe 1 milion lekë të vjetra. Kjo është qesharake. Teatri Popullor dikur ka vënë vepra të mëdha në skenë si “Hamlet” dhe të tjera, por sot shikojmë që thonë aktorë të mëdhenj? Po çfarë aktorë të mëdhenj kur nuk kanë luajtur Hamlet? Nuk mund ti thuash aktor i madh apo teatër i madh, kur institucioni nuk vë në skenë “Hamlet”, “Otello”, etj. Teatri Kombëtar duhet të matet me autorë të mëdhenj në skenë. Ata aktorë që ishin të mëdhenj dikur u rritën me vepra të teatrit shqiptar, por paralelisht teatrot vinin dhe vepra të autorëve të mëdhenj të botës.

-Ju punoni me të rinjtë, një mesazh për ata në fushën e teatrit?

Mesazhi im është te shteti, që ti nxisë sa më shumë. A ka mundësi të vijojë ajo nismë që ishte më parë ku ishte një festival për regjisorët e rinj? Uroj të bëhet sërish ai festival. Ai festival, që organizohej atëherë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Një festival ku doli Elma Doresi një regjisore shumë e mirë, por kanë dalë dhe të tjerë artistë. Ministria jepte një buxhet, që nxiste artistët.

Intervistoi: Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj