
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar prokurorin e Tiranës Arben Allajbeu. Ky vendim ka ardhur pasi një denoncues anonim ka vënë në dijeni trupën që kreu procesin e rivlerësimit, për një apartament që dyshohet se Allajbeu e fshehu duke e deklaruar në emër të vjehrrës.
Këto dyshime të ngritura nga denoncimi anonim, u kundërshtuan nga përfaqësuesja ligjore e Allajbeut, Antoneta Sevdari, e cila tha se denoncimi anonim nuk ishte provë dhe mund të kishte ndikuar Komisionin.
Allajbeu nuk ishte i pranishëm në seancën e shkarkimit të tij, ndërsa përfaqësuesja tha se shkak ishte një problem shëndetësor.
Arben Allajbeu e ka filluar karrierën e tij si oficer i Policisë Gjyqësore, për t’u emëruar prokuror në Prokurorinë e Beratit në vitin 2014. Në nëntor 2016, Allajbeu u transferua në Prokurorinë e Tiranës, ku e kryen aktualisht funksionin.